Bislimi i përgjigjet “zhurmës” për ndalimin e dinarit: Përdorimi i dinarit nuk ka qenë i lejuar, pra nuk është anuluar

Prishtinë | 18 Jan 2024 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, i është përgjigjur “zhurmës”, sikur e ka quajtur ai, mbi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për “operacionet me para të gatshme”, raporton Ekonomia Online.

“Rregullorja e BQK-së për “Operacionet me Para të Gatshme”, e miratuar nga bordi i këtij institucioni në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas, nuk e liston asnjë mjet pagese veçmas, përveç specifikimit që buron nga neni 11 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë nen precizohen dy gjëra: që në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme; dhe që Banka Qendrore e Kosovës është autoritet i pavarur bankar”, ka shkruar Bislimi në Facebookun e tij.

“Rrjedhimisht në Rregulloren e sipërpërmendur, nuk ka pasur se si të anulohet përdorimi i dinarit, pra diçkaje që nuk ka qenë e lejuar asnjëherë më parë. Për më tepër, as dinari e as monedhat e asnjë shteti tjetër fqinj nuk janë përmendur fare në tekstin prej 40 faqesh të kësaj rregulloreje”.

“Çfarëdo interpretimi tjetër është i pasaktë dhe synon manipulimin e opinionit publik. Duke qenë Autoriteti i vetëm me funksion dizajnimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e politikave monetare në vend, Banka Qendrore ka për detyrë edhe draftimin e rregullave të lojës për të gjithë ato subjekte, financiare apo jofinanciare, persona fizik apo juridik, në operimet e tyre me valuta, si vendore apo të huaja”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka “alarmuar” se Kosova do t’i ndalë transaksionet e pagesave me dinarë. Për këtë çështje është në dijeni edhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar rregullore të re që hyn në fuqi nga 1 shkurti, e ku thuhet se valuta e vetme në Kosovë është euro.

“Këtë çështje e ngrita në bisedën time me kryenegociatorin nga Kosova, z. Bislimi. I kërkova që të përgjigjet në disa pyetje të rëndësishme. Dhe së dyti, atë informacion ia kam përcjellë Brukselit dhe shërbimet tona tani janë duke e analizuar situatën. Presim që ta dalin shumë shpejt me ndonjë qëndrim të përbashkët dhe zyrtar”, tha Lajçak.

Lajçak tha se nuk dëshiron të japë asnjë vlerësim për momentin, pas pyetje nga mediat serbe se a përbën ”rrezik” kjo situatë.

“Besoj se nuk do të bëhet e rrezikshme, besoj se do të gjejmë një zgjidhje që sigurisht nuk do të ketë pasoja negative”, tha Lajçak.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës dje ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.

Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.”, thuhet në rregullore.

Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.

POSTIMI I PLOTË:

Rreth zhurmës mbi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për “operacionet me para të gatshme”

Rregullorja e BQK-së për “Operacionet me Para të Gatshme”, e miratuar nga bordi i këtij institucioni në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas, nuk e liston asnjë mjet pagese veçmas, përveç specifikimit që buron nga neni 11 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë nen precizohen dy gjëra: që në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme; dhe që Banka Qendrore e Kosovës është autoritet i pavarur bankar.

Rrjedhimisht në Rregulloren e sipërpërmendur, nuk ka pasur se si të anulohet përdorimi i dinarit, pra diçkaje që nuk ka qenë e lejuar asnjëherë më parë. Për më tepër, as dinari e as monedhat e asnjë shteti tjetër fqinj nuk janë përmendur fare në tekstin prej 40 faqesh të kësaj rregulloreje.

Çfarëdo interpretimi tjetër është i pasaktë dhe synon manipulimin e opinionit publik. Duke qenë Autoriteti i vetëm me funksion dizajnimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e politikave monetare në vend, Banka Qendrore ka për detyrë edhe draftimin e rregullave të lojës për të gjithë ato subjekte, financiare apo jofinanciare, persona fizik apo juridik, në operimet e tyre me valuta, si vendore apo të huaja.

Natyrisht se në ushtrimin e këtij mandati, Banka Qendrore është e kufizuar me një sërë instrumentesh ligjore vendore e ndërkombëtare, si Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Kodi Penal, Ligji për Bankën Qendrore, ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit e shumë të tjera, por edhe nga një varg rregulloresh, direktivash e vendimesh të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe konventave relevante ndërkombëtare që rregullojnë standardet në operimin me para të gatshme, paketimin dhe depozitimin e tyre, këmbimin e valutave të dëmtuara, heqjen nga qarkullimi dhe riqarkullimi të valutave të dëmtuara ose të falsifikuara, importimin apo eksportimin e valutave të brendshme dhe të huaja.

Natyrisht se e një rëndësie të veçantë është edhe përcaktimi i valutës e cila lejohet të përdoret në të gjitha transaksionet bankare e jobankare, e që në rastin e Kosovës është vetëm valuta EURO.

Secili prej qytetarëve të Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me këtë, ka qenë në vazhdimësi në anën e shkelësit të ligjit.

Deklaratat që tentojnë të kontestojnë si autoritetin e Bankës Qendrore në përcaktimin e këtyre rregullave, si monopolin në përdorimin e Euros si valutë e vetme në qarkullim, përveçse insistojnë në lejim, tolerim dhe promovim të joligjshmërisë e informalitetit, njëkohësisht bëjnë thirrje për mohimin e kompetencave të Bankës Qendrore, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë.

Këto deklarata njëkohësisht synojnë minimin e sovranitetit politik e monetar të Republikës së Kosovës, dhe si të tilla duhet të ndeshen me kundërshtim të fuqishëm të secilit prej nesh.

Rregullorja e sipërpërmendur nuk është produkt i negociatave politike në Bruksel dhe si e tillë nuk ka se si të ketë ndikim në mbarëvajtjen e procesit të normalizimit të raporteve mes Republikës së Kosovës dhe fqinjit tonë verior.

Transparenca në import të valutave të huaja, konvertimi i tyre në Euro dhe transferi tek përfituesit final, nuk ka asnjë mundësi të ndikojë as në mbarëvajtjen e furnizimeve të përfituesve eventual e as në zvogëlimin e fuqisë blerëse të tyre. Andaj edhe nuk ka se si të shkaktojë krizë humanitare e as të privojë cilindo qytetar nga pranimi dhe shpenzimi i të ardhurave të tyre.

E vetmja gjë që zvogëlohet fuqishëm, është hapësira enorme për keqpërdorim në emër të mbështetjes e ndihmave sociale, praktikë kjo e perfeksionuar nga sekserët politikë në Beograd, të cilët për secilin dinar që kanë dërguar tek familjet e komunitetit serb në Kosovë, kanë vjedhur 5 sosh.

Insistimi që edhe më tej, transferi i parave përtej kufirit shtetëror të bëhet dhe tolerohet në mënyrë klandestine, me thasë e vetura individuale, e pastaj të shpërndahet përmes zyreve të paregjistruara e të palicensuara, jo vetëm që ngjason në ide të shekullit të 19-të, por edhe synon mbajtjen e qytetarëve përfitues në ilegalitet dhe varësi konstante nga të njëjtët sekserë.

Të ngjashme