Rinia Demokratike e Kosovës, është duke mbajtur takime në nivel të degëve dhe nëndegëve në tërë vendin, duke promovuar vizionin e liderit të PDK-së, Kadri Veseli, Dekada e Re. RDK është organizata më e madhe politike e rinisë në vend, potencon kryetari i saj, Donjet Bislimi, i cili në emër të rinisë, shprehet i gatshëm për zgjedhjet nacionale dhe fitoren e PDK-së.
Në tubime me të rinjtë në degë por edhe me përfaqësuesit e Organizatave joqeveritare dhe të rinjtë e angazhuar në fusha të ndryshme, ishte i pranishëm edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, duke cekur prioritetet në qeverisjen e re.
“Vetëm PDK-ja ka guxim dhe vendosmëri për ta bërë ndryshimin që e presin qytetarët, për ta luftuar korrupsionin dhe për t’iu krijuar mundësi të rinjve brenda Kosovës. Ne do të punojmë që të ndërtojmë një ekonomi të zhvilluar, ku do të ketë mirëqenie për të gjithë qytetarët, kudo që ata jetojnë”, ka theksuar Veseli.
Ndërsa kryetari i RDK, Donjet Bislimi, ka theksuar se Kosovës i duhet kryeministër Kadri Veseli që ka besim në rini, që lufton korrupsionin dhe krijon shanse të barabarta.
“Kosovës i duhet kryeministër Kadri Veseli që punon për rininë, duke hapur rrugë të rinjëve në vendimmarrje, që Kosovës nuk i bën bllokada por i hap rrugë drejt integrimit euro-atlantik, e lufton krimin dhe korrupsionin dhe ofron mundësi e gjasa të barabarta për rininë”, ka theksuar Bislimi.
Sipas Bislimit, Veseli ka shprehur besim të madh për rininë, për të ardhmen e Kosovës drejt zhvillimit dhe integrimit, me besim të plotë në rininë si shtyllën kryesore të shoqërisë dhe Republikës së Kosovës.
Tubimet e Rinsë Demokratike, ditëve të fundit janë mbajtur në Prizren, Podujevë, Dardanë, Gjilan, Pejë, Lipjan, Mitrovicë, Vushtrri, Gjakovë, Suharekë, Ferizaj, Prishtinë, Kaçanik, Drenas, Shtime, etj, me pjesëmarrje dhe interesim të jashtëzakonshëm të të rinjve për këto tubime.