Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, njëherit anëtari i kryesisë së PDK-së, Donjet Bislimi ka mbajtur një konferencë për media, ku ka shprehur shqetësimin për gjendjen e rënduar, të krijuar nga pandemia COVID-19 dhe ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë sigurimin e vaksinës anti-COVID, për shkak se në Kosovë është rritur numri i vdekjeve, duke tejkaluar shumë vende në botë, raporton Ekonomia Online.
Ai shprehu zemërimin ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë së Kosovës, për keqmenaxhimin e spitaleve dhe gjithë sistemit shëndetësor, gjë që është demonstruar tashmë nga raportimet e mediave. “Mediat kanë dëshmuar tashmë për mungesën e kushteve bazike, të kontrolleve dhe izolimit të nevojshëm të spitaleve ku trajtohen pacientët e infektuar prej koronavirusit.
Ndërkohë që gjasat janë të mëdha që kjo qeveri të dalë me suficit të madh për sa i përket shpenzimeve buxhetore, qytetarët nuk kanë oksigjen, i cili është vital për mbijetesën e të sëmururve, dhe detyrohen ta kërkojnë në treg privat. E njëjta situatë e rëndë shihet edhe me barna, ku Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë masa për të përmbushur nevojat e pacientëve, të cilët po detyrohen t’i blejnë barnat në treg të zi me çmime të larta. Ne si PDK jemi të shokuar nga mungesa e oksigjenit në spitalet tona dhe dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë.”, tha Bislimi.
Ai kërkoi llogari nga institucionet kompetente për krizën e krijuar si shkak i mungesës së oksigjenit për pacientët me COVID -19 dhe bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm për menaxhimin e kësaj krize.
Fjalimi i plotë të tij:
Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë, Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës shpreh shqetësimin e madh për gjendjen e rënduar të pandemisë së COVID-19 dhe rritjen e numrit të vdekjeve duke tejkaluar shumë vende në botë. Përkeqësimi i situatës po tregon se masat aktuale të qeverisë nuk po funksionojnë ndërkohë që ekonomia është duke paguar kosto të përditshme si pasojë e masave jo-efikase bllokuese. Ne shprehim zemërim e thellë ndaj ministrisë së shëndetësisë, qeverisë së Kosovës, për keq-menaxhimin e spitaleve dhe gjithë sistemit shëndetësor, gjë që është demonstruar tashmë nga raportimet e mediave. Pamjet që po vijnë nga klinikat dhe spitalet kudo në Kosovës, rrëfimet dhe përjetimet e pacientëve, familjarëve të tyre dhe përvoja e ime si mjek që nga fillimi i pandemisë, janë vërtetë shokuese dhe të papranueshme për gjendjen ku jemi. Tani secili indivudalisht jemi prekur nga pandemia; në familjet tona; kemi miq e njerëz që njohim që i kemi humbur nga kjo sëmundje. Prandaj, në emër të Partisë Demokratike shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Njëherazi shprehim mirënjohjen e thellë dhe solidaritetin me mjekët, infermierët, sanitarët e të gjithë ata që janë sot në përballje të drejtpërdrejtë me koronavirusin. Ne shprehim mbështetjen më të madhe për punën e punonjësve shëndetësorë dhe kemi keqardhje të madhe për faktin që shumë prej tyre janë infektuar për shkak të mungesës së mjeteve të duhura mbrojtëse. Mediat kanë dëshmuar tashmë për mungesën e kushteve bazike, të kontrolleve dhe izolimit të nevojshëm të spitaleve ku trajtohen pacientët e infektuar prej koronavirusit. Ndërkohë që gjasat janë të mëdha që kjo qeveri të përfundoj me suficit të madh për sa i përket shpenzimeve buxhetore, qytetarët nuk kanë oksigjen, i cili është vital për mbijetesën e të sëmurëve, dhe detyrohen ta kërkojnë në treg privat. E njëjta situatë e rëndë shihet edhe me barna, ku ministria e shëndetësisë nuk ka marrë masa për të përmbushur nevojat e pacientëve, të cilët po detyrohen t’i blejnë barnat në treg të zi me çmime të larta. Po ashtu, ne si PDK jemi të shokuar nga mungesa e oksigjenit në spitalet tona. Dhe dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë. Tashmë po hyjmë në muajin e 10-të të fillimit të pandemisë në Kosovë dhe nuk ka asnjë justifikim për mungesën e barnave, pajisjeve, furnizimit me oksigjen apo staf të mjaftueshëm shëndetësor. Ka pasur kohë më se të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe vazhdimi i gjithë këtyre mangësi vedëshmojnë papërgjegjshmëri të jashtëzakonshme politike dhe mungesë të theksuar aftësie për të qeverisur vendin në këtë kohë të vështirë. Një tjetër problem madhor që po manifestohet për sa i përket ballafaqimit me pandeminë është çështja e sigurimit të vaksinave anti-COVID. Ndërkohë që zbulimi i vaksinave dhe fillimi i përdorimit të tyre në vendet perëndimore ka dominuar mediat ndërkombëtare dhe mobilizuar të gjitha qeveritë e rajonit, qeveria Hoti nuk ka shpalosur ende ndonjë plan se si dhe kur do t’i sigurojë vaksinat për qytetarët e Kosovës. Madje e shohim të angazhuar në emërime e shkarkime politike në vend që të angazhohet në shpëtimin e jetëve të qytetarëve tanë. Ne jemi të alarmuar se mund të ripërsëritet dështimi me vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat u siguruan në Kosovë me 3 muaj vonesë, pasi stina e dimrit tashmë ka filluar. Papërgjegjshmëria, paaftësia dhe mungesa e ndjeshmërisë së dy qeverive, asaj ish-Kurti dhe Hoti, janë duke i kushtuar me jetë të çmuara Kosovës. Çdo vonesë në sigurimin e vaksinës anti-COVID, përkthehet në jetë të humbura njerëzish. Çdo vazhdim i mungesave të barnave, oksigjenit, mjeteve apo stafit shëndetësor, gjithashtu shton bilancin tashmë të rëndë të vdekjeve prej koronavirusit. Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje për një mobilizim urgjent serioz të Qeverisë për sa i përket menaxhimit të pandemisë në vend, që sigurimi i vaksinës anti-COVID dhe adresimi i mungesave të sipërpërmendura në sistemin shëndetësor tonin të bëhet prioriteti numër një i gjithë shoqërisë. Po ashtu, i bëjmë thirrje edhe shoqërisë civile, mediave dhe mbarë opinionit publik që të bëjë presion ndaj qeverisë që të vihet sa më shpejt në lëvizje për të përmbushur detyrat dhe obligimet që ka përkundrejt shëndetit publik. Përfitoj nga rasti për të bërë thirrje edhe ndaj qytetarëve, që të zbatojnë sa më rreptësisht masat parandaluese, që të mbajnë distancën sociale dhe të shtojnë kujdesin ndaj higjenës personale si dhe ndaj qytetarëve që janë më shumë të rrezikuar.