Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe anëtarët e saj nuk ndjejnë vështirësi në funksionimin e tyre si pasojë e krizës politike. Edhe pse para disa javëve pikërisht nga kjo Odë u ankuan se kriza politike ka shkaktuar probleme në likuiditetin e kompanive dhe se urgjentisht nevojitet kapital i freskët, tani kanë qëndrim të zbutur.
Nga kjo Odë porositën që ndërmarrjet vendore ta përpilojnë raportin e ashtuquajtur “Bonitet”, përkatësisht të tregojnë se si është gjendja aktuale financiare dhe si presin të jetë në muajt e ardhshëm.
“Udhëzimet tona do të jenë që raportet ‘Bonitet’ të shërbejnë si mbështetje dhe bazë gjatë vendimmarrjes së Bankave të biznesit apo të institucioneve në suazat e shtetit, i cili shpreson në nxitjen e kompanive të vogla dhe të mesme që të jetë si mbështetës plotësues”, deklaroi Anita Trajkovska nga Oda Ekonomike.
Për dallim nga Oda Ekonomike, biznesmenët e Odës së Maqedonisë Veriperëndimore kërkojnë shlyerje urgjente të shtetit ndaj biznesit. Sipas biznesmenit Shefket Aliti, për momentin jo-likuiditeti është problemi më i madh i kompanive vendore.
“Përveç parave, një pjesë e biznesmenëve që nuk janë anëtarë të Odës Ekonomike, kërkojnë që Qeveria të mbështesë veprimtarinë sipërmarrëse, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të ulën shpenzimet për zhvillim të biznesit si dhe urgjentisht të kthehen borxhet e shtetit ndaj biznesit. Në të kundërtën, nëse vazhdon jo-likuiditeti, një pjesë e pronarëve do të duhet t’i largojnë punëtorët ose t’i mbyllin ndërmarrjet e tyre”, deklaroi biznesmeni Shefket Aliti.