Bjellorusi: Liderit opozitar i shtohet dënimi për 10 ditë

Prishtinë | 03 Nën 2017 | 15:27 | Nga

Liderit opozitar bjellorus të burgosur, Mikalay Statkevich, njëherësh ish-kandidat presidencial, i është shtuar dënimi me burg për 10 ditë, ka njoftuar sot bashkëshortja e tij, Maryna Adamovich.

Adamovich tha sot se e ka marrë një urdhër nga gjykata, sipas të cilit bashkëshorti i saj është fajtor se e ka mbajtur një takim të palejuar publik, muajin e kaluar, kur dhjetëra gazetarë dhe mbështetës, e kanë pritur atë në hyrjet e burgut derisa ai ishte liruar, pas vuajtjes së një dënimi të mëparshëm.

Prej muajit janar të këtij viti, Statkevich është burgosur disa herë, duke i kaluar 34 ditë në burg.

Aktualisht, ai po e vuan dënimin me 5 ditë burg, për shkak të pjesëmarrjes në një tubim të paautorizuar para disa javëve.

Pritej që ai do të lirohej pasnesër, por bashkëshortja e tij tha se atij me gjasë do t’i vazhdohet burgimi për 10 ditë.

Statkevich para tetë vitesh ishte rival i presidentit autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, në zgjedhjet presidenciale.

Prej vitit 1994, në postin e presidentit, zoti Lukashenka ishte rizgjedhur disa herë, ndërsa kritikët thonë se votimet ishin të manipuluara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme