Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku ka thënë se PDK do të sjell emra të rinj sa i përket kandidatëve për kryetarë të komunave në Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit.
“Do të ketë emra të rinj, do të ketë edhe kandidatë që tashmë janë dëshmuar si kryetarë të komunave të suksesshëm në disa prej komunave që ne qeverisim tash e disa mandate. Gjithsesi do të ketë edhe emra të rinj të cilët do të jenë freskim për Partinë Demokratike të Kosovës në Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit”, tha ajo.
Deliu-Kodra është shprehur se takimi i sotshëm ishte një nga takimet e rregullta të PDK-së dhe ky i sotshmi ishte me qëllim të organizimit të të gjitha strukturave të kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme komunale, sipas saj, temë e diskutimit ishin listat e kandidatëve të mundshëm për komunat.
“Partia Demokratike e Kosovës është në valën e organizimit të zgjedhjeve lokale. Takimet e Kryesisë janë takime të rregullta që kanë për qëllim, organizmin dhe mobilizimin e të gjitha strukturave për zgjedhjet 22 tetorit. Kemi diskutuar kryesisht për listat e kandidatëve dhe kandidaturave të mundshme për kryetar të komunave dhe ishte një diskutim i frytshëm brenda Kryesisë së Partisë Demokratike për Zgjedhjet Lokale”, duke shtuar se PDK do t’i përmbahet afateve ligjore për publikimin e këtyre listave.
Ajo ka thënë se do të garojnë më një platformë e cila do t’ia mundësoj PDK-së për të fituar edhe në komunat ku ishin opozitë.
“PDK edhe kësaj radhe do të garojë me platformë më të mirë, për të ofruar mundësi më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe për të fituar bindshëm në ato komuna ku jemi opozitë dhe për të rikthyer fitoren bindshëm në komuna ku ne qeverisin tash e sa vite”, bëri të ditur ajo.