Blinken thirrje Kosovës e Serbisë për vazhdimin e dialogut, s’e komenton çështjen e dinarit

Prishtinë | 15 Shk 2024 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka komentuar vendimin e BQK-së për ndalimin e qarkullimit të dinarit.

Blinken i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta vazhdojnë dialogun Kosovë – Serbi, pasi që sipas tij është shtegu i vetëm për të ecur përpara.

“Sa i takon Kosovës dhe Serbisë në mënyrë specifike dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i duhuri, madje është shtegu i vetëm i duhuri dhe ne jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet, që mundemi, që ata ta përshkojnë këtë shteg”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Blinken e përgëzoi Shqipërinë për progres rajonal.

“Por, dua ta përgëzoj rolin e Shqipërisë, sepse ka pasur një forcë për stabilitet rajonal, për integrim, dhe progres rajonal. Dhe ky është shtegu që i sjellë të gjithë rreth një të ardhme më të mirë”.

Duke folur për situatën në rajon, sekretari amerikan tha se ShBA e ka të qartë çfarë ka ndodhur 30 vjet më parë në rajon dhe shtoi se “s’mund të kemi përsëritje të asaj që ka ndodhur”.

Të ngjashme