Departamenti i Shtetit i ShBA-së njoftoi se sekretari Antony Blinken ka zhvilluar të shtunën bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, për të diskutuar rreth shqetësiameve se Rusia mund të jetë duke e shqyrtuar agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.
“Sekretari bëri të qartë se rruga diplomatike për zgjidhjen e krizës diplomatike mbetet e hapur, por kjo do të kërkonte nga Moska që t’i ulte tensionet dhe të angazhohej në diskutime me mirëbesim”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Sipas njoftimit, sekretari Blinken përsëriti se nëse Moska e ndjek rrugën e agresionit dhe nëse e pushton më tej Ukrainën, kjo do të rezultonte në reagim masiv, të vendosur dhe të bashkuar trans-atlantik.
Bisedë telefonike është planifikuar edhe mes dy zyrtarëve më të lartë të këtyre fuqive botërore, presidentëve Joe Biden të ShBA-së dhe Vladimir Putin të Rusisë.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan të premten se Rusia tashmë ka numër të mjaftueshëm të ushtarëve për sulm ndaj Ukrainës dhe se një gjë e tillë mund të ndodhë së shpejti.
ShBA-ja, Britania dhe disa vende të tjera u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen sa më shpejt nga Ukraina nga frika për një sulm të mundshëm rus.
Sidoqoftë, Rusia ka mohuar se ka plane për ta sulmuar shtetin fqinj dhe i ka akuzuar vendet e mediet perëndimore për përhapje të një “fushate dezinformimi” me qëllim të “devijimit të vëmendjes nga veprimet e tyre agresive”.