Bllokada për koalicionin, a po përpiqen diplomatët ta bindin LDK’në

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Sa herë ka pasur bllokada në krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, ambasadat e huaja nuk kanë qëndruar duarkryq. Njëjtë po ndodh edhe tash kur LDK dhe Vetëvendosje nuk po arrijnë dot një marrëveshje për koalicion edhe pse kanë kaluar me shumë se 100 ditë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Një presion më i madh vërehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vetëm gjatë muajit janar, zyrtarët e LDK’së janë takuar me ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell, dhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, me të cilët është diskutuar për krijimin e qeverisë së re. raporton gazetaexpress

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje assesi nuk po arrijnë të pajtohen për një koalicion qeverisës edhe përkundër faktit që kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Një situatë e tillë ka nxitur edhe reagimet e ndërkombëtarëve, të cilët po kërkojnë që Kosova të bëhet me institucione të reja sa më shpejtë.

Presion më të madh janë duke bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos ndaj partisë që drejton Isa Mustafa.

Më 3 janar të këtij viti me ftesë të ambasadorit amerikan Richard Grenell, në Berlin kishin qëndruar nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, bashkë me dy anëtarët e kryesisë së partisë, Avdullah Hotin dhe Skënder Hysenin. Në këtë takim me emisarin e presidentit Trump për dialogun ishte diskutuar edhe rreth krijimit të institucioneve të reja.

“Delegacioni i LDK-së e njoftoi Ambasadorin Grenell për përpjekjet që po bëhen për të arritur një marrëveshje për formimin e Qeverisë”, thuhej në njoftimin e LDK’së pas takimit në Berlin.

Pak ditë pas këtij takimi në Berlin, zyrat e LDK’së i ka vizituar ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Në një takim me Isa Mustafën, Vjosa Osmanin, Agim Veliun e Lutfi Hazirin, Kosnett kishte përsëritur kërkesën për krijim sa më të shpejtë të institucioneve të reja në respekt të vullnetit të votuesve.

“Ambasadori Kosnett ftoi udhëheqësit politik ta formojnë qeverinë e re e cila sa më parë do të përmbushë mandatin e votuesve”, thuhej në komunikatën e LDK’së.

Në të njëjtën ditë me Kosnett, në selinë e LDK’së ka qëndruar edhe ish-ambasadori i OSBE-së, Ëilliam Ëalker, i cili gjithashtu ka bërë thirrje për krijim sa më të shpejtë të qeverisë së re.

Përveç amerikanëve, formimin e shpejtë të institucioneve të reja e kërkojnë edhe nga Gjermania. Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, e ka përsëritur një kërkesë të tillë vazhdimisht, duke qenë se LDK dhe Vetëvendosje nuk po arrijnë të pajtohen për koalicion edhe 3 muaj pas zgjedhjeve.

Zgjedhjet e 6 tetorit janë mbajtur si rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Rezultati i dalë nga zgjedhjet e tetorit u interpretua si votë për ndryshim, duke qenë LVV doli e para dhe LDK u rendit si e dyta.

E dy partitë edhe përkundër paralajmërimeve se do të krijonin shpejtë koalicionin, pas arritjes së pajtueshmërisë për program qeverisës kanë hasur në pengesa të patejkalueshme në ndarjene  posteve.

Sfundi dy partitë i kanë dërguar oferta njëra-tjetrës, megjithatë asnjëra nuk është pranuar. Madje nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, e ka cilësuar si joserioze ofertën e partisë së Kurtit, ndërkohë ka thënë se një ofertë e tillë madje është përpjekje e partisë së Kurtit për pushtet absolut dhe për ta nëpërkëmbur LDK’në.

Mbetet e shihet se çfarë do të ndodh ditët në vijim, duke qene se presidenti i vendit Hashim Thaçi, vazhdimisht ka kërkuar nga lideri i VV’së që t’ia dërgojë emrin e mandatarit për kryeministër, për të shmangur vonesat në krijimin e institucioneve të reja.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme