Bllokimi i Kapitullit 3, Vuçiq: Millanoviq flet budallallëqe

Prishtinë | 09 Kor 2026 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Disa orë bisedime të ambasadorëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në mbledhjen e mbajtur në Bruksel, krijuan një bllok anti-Serbi.

Të paktën tetë vende anëtare – Holanda, Kroacia, Bullgaria, shtetet baltike e të tjera – e thanë një JO të madhe që Beogradi t’i hapë negociatat për grup kapitullin 3 për hyrje në BE, raporton Klan Kosova.

Ndër arsyet kapitale për këtë refuzim të ri për hapjen e Klasterit 3 janë disa arsye të njohura: regjimi serb kritikohet ashpër për mossanksionimin e Rusisë, pastaj gjendjen, siç quhet, alarmante në sundimin e ligjit por edhe mungesa e krijimit të fqinjësisë së mirë pikë së pari me Republikën e Kosovës.

Edhe më përpara, shtete siç është Kroacia, refuzuan miratimin e hapjes së kapitujve të negociatave për Serbinë; derisa këtij shteti i kërkohet proces gjyqësor ndaj grupit paramilitar që kryen sulmin terrorist ndaj policisë kosovare në Banjskë më 24 shtator 2023.

Ndërkohë, presidenti kroat, Zoran Millanoviq, edhe në margjinat e Samitit të NATO-s në Turqi, tha se Serbia po sillet në mënyrë të çuditshme në kontekstin e armatimit dhe se aleanca veriatlantike duhet të jetë në dijeni për këtë.

Këto kritika e qëndrime kroate e bënë presidentin serb që të përdorë fjalor të ulët në raport me homologun e tij kroat.

Të ngjashme