Bokshi: Aktakuza ndaj Milosheviqit, dokument historik për krimet e luftës në Kosovë

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Avokati Teki Bokshi në emisionin Desku në KTV ka thënë se aktakuza ndaj Slobodan Milosheviqit ka mbetur si dokument historik për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë.

Megjithatë, ai thotë se kjo assesi nuk ka vendosur drejtësi.

“Mendoj se assesi nuk është vendosur drejtësia atëherë as me aktakuzë ndaj Milosheviqit edhe me procedimin e bashkëakuzuarve të tjerë – Milan Milutinoviqi, që ka qenë kryetar i Serbisë, Nikolla Shahinoviq, Dragola Bojdaniq dhe Mlatko Stoinoviq, në ndërkohë Stoinoviq ka vdekur, dihet që ka bërë vetëvrasje para parlamentit të Serbisë kur ka marrë ftesën që të paraqitet në Gjykatën e Hagës. Në ndërkohë Milutinoviq është liruar nga aktakuza. Përkundër që kanë peshë historike kjo aktakuzë nuk ka përmbushur asnjë kërkesë dhe pritje, posaçërisht të familjeve të viktimave”, ka thënë Bokshi.

Bokshi thotë se karakteristike është se aktakuza ka marrë vetëm disa prej rasteve të masakrave që kanë ndodhur në Kosovë.

“Në këtë aktakuzë janë përmendur masakra e Reçakut, ku ka pasur 45 viktima, masakra në fshatin Bellacerkë ku kanë qenë 55 viktima, më tutje Krusha e Madhe 103 viktima, në të cilat janë emërtuar edhe viktimat. Në Gjakovë 6 viktima, Pagalishtë 20 viktima, në Izbicë 95 viktima, dhe në fund në Gjakovë grupi tjetër prej 20 viktimave”, ka thënë ai. “Një pjesë e vogël kjo ku janë përmendur 305 viktima me emra e mbiemra, praktikisht ideja e Tribunalit të Hagës janë përmendur viktimat me prova të pakontestueshme. Kjo aktakuzë, meqenëse nuk është përfunduar, ka mbetur si dokument historik për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë”.

Tutje ai thotë se për dallim prej aktakuzës që ka pasur Bosnje e Hercegovina, Milosheviqi, ka qenë i akuzuar për gjenocid, në aktakuzën për Kosovën ka qenë i akuzuar për krime ndaj popullsisë civile dhe për shkelje të ligjeve të luftës, duke e përfshirë këtu edhe deportimin, vrasjet, dhe shpërngulje të dhunshme.

“Prandaj, kjo aktakuzë edhe sikur të procesohej deri në fund mendoj se s’i kish përmbushë kërkesat dhe pritjet që kanë qenë. Siç është e njohur janë proceduar dikund rreth 160 e disa persona. Ideja fillestare ka qenë që me këtë aktakuzë t’i përmbahen intensitetit dhe përgjegjësisë juridikopenale të kryersëve të këtyre veprave penale, posaçërisht urdhërdhënësit. Mirëpo, praktikisht këtij kriteri deri në fund nuk u janë përmbajtë për shkak se këtu janë akuzuar gati krejt udhëheqësia politike e ushtarake-policore e Serbisë që është e vërtetë, pavarësisht se si kanë përfunduar ato procese është çështje për diskutim, por ka pasur raste edhe kur janë akuzuar edhe roje të burgjeve dhe nivele të ndryshme. Në njëfar mënyre me këto aktakuza, me politikën e akuzimit nga e ana e Prokurorisë së Trubunalit të Hagës është mbuluar krejt territori i ish-Jugosllavisë”, ka thënë Bokshi.

Ai ka shtuar se është e vërtetë që më së shumti janë akuzuar serbë, pastaj kroatë, boshnjakë, shqiptarë – dy rastet tona të njohura, të cilët iu kanë dështuar atyre, dhe janë liruar.

“Bile në fund janë futur edhe dy të akuzuar maqedonas që të mos mbetet e pambuluar ajo pjesë e pambuluar lidhur me konfliktin që ka ndodhur në Maqedoni. Praktikisht këto gjykime mund të thuhet se kanë qenë politike, për shkak se gjykimet kanë qenë korrekte dhe gjykime që kanë lënë gjurmë edhe në shkencën juridike, në të drejtën penale ndërkombëtare. Prokuroria është ajo që e ka politizuar dhe ajo e ka sjellë në tavolinë gjykatës lëndë”.

Megjithëse, sipas tij, ka pasur edhe vendime krejtësisht të papritshme.

“Shembull është liruar shefi gjeneral i Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, Mumshillo Perishiq, i cili ka pas të bëjë me bombardimin e Dubrovnikut, me të cilën gjykata e shkallës së parë e ka gjykuar me dënim shumë të lartë, ndërsa në shkallën e dytë e ka liruar në tërësi. Me legjislacioni juridikopenal të Jugosllavisë së atëhershme përgjegjësia komanduese nuk ka qenë e paraparë, megjithëse Tribunali i Hagës ka pasur statutin e vet, në bazë të së cilit i ka paraparë veprat penale”, ka thënë Bokshi.

Të ngjashme