Bordi i ShSKUK-së zotohet për zvogëlimin e listës së pritjes, opozita thotë se Qeveria po ndikon në menaxhim

Prishtinë | 18 Kor 2023 | 12:33 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Naim Bardiqi, ka deklaruar se rëndësi të veçantë do t’i japin adresimit të rekomandimeve të dala nga raporti i auditimit, raporton Ekonomia Online.

Krahas kësaj, Bardiqi ka thënë se do të mundohen ta eliminojnë listën e pritjes aty ku kanë mundësi. Këto deklarime ai i bëri gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi.

“Rëndësi të veçantë i kemi dhënë adresimit të rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të SHSKUK-së. Jemi duke bërë maksimum aty ku ka mundësi në eliminimin e listave të pritjes. Do të jemi në funksion të arritjes së planit të punës të menaxhmentit të ShSKUK-së, kemi në fokus harmonizimin e aktiviteteve të ShSKUK me MSh dhe me ministritë tjera të linjës për projekte infrastrukturore”.

Bardiqi u shpreh se si Bord kanë realizuar gjithsej 12 mbledhje ku janë trajtuar tema të caktuara në mënyrë që siç tha, t’u ofrojnë zgjidhje.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi tha se sfidë mbetet furnizimi me barna dhe materialeve shpenzuese, pastaj mungon dokumenti i brendshëm, nuk ka udhërrëfyes klinik etj.

Ai madje tha se infrastruktura është e vjetërsuar dhe se janë vonë me digjitalizimin.

“Gjatë kësaj periudhe kam bërë disa vizita për t’u njohur me infrastrukturë dhe kam vërejt funksionimin. Sfidat janë furnizimi i barnave dhe materialeve shpenzuese, mungon dokumenti i brendshëm, nuk ka udhërrëfyes klinik e kështu më radhë. Infrastruktura është e vjetërsuar dhe jemi vonë me digjitalizimin. Misioni im rrjedh nga vizioni dhe me arritjen e këtij misioni do të merremi me disa drejtime kryesisht me listën e shërbimeve shëndetësore”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se është parë një dëshirë të flaktë e Qeverisë është për një kontroll të plotë në këtë institucion, raporton EO.

“Janë 30 muaj të kësaj Qeverie dhe është drejtori i katërt i ShSKUK-së. E kemi par një dëshirë të flaktë të kësaj Qeverie është për një kontroll të plotë dhe kjo u bë me zgjedhjen e një sekretari në krye të bordit”.

“Esenciale është mungesa e barnave dhe kjo është fatkeqësi me fol kur është proklamuar për rritje të buxhetit. Si do ta adresoni sepse mos të ketë antibiotik është papërgjegjësi dhe e dyta është lista esenciale”, tha Zemaj teksa përmendi disa Klinika që ka lista të pritjes.

“Kur së fundmi është përpiluar lista e esenciale dhe kur do të ketë përditësim të saj dhe çfarë masa keni me ndërmarrë. Çfarë po ndodh në Kardiologji”, pyeti tutje Zemaj.

Të ngjashme