Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, shtet që ka kryesimin e Presidencës së Bashkimit Evropian, ka thënë se është momenti i duhur që BE të thërras vendet e Ballkanit Perëndimor drejt perspektivës evropiane.
“Është momenti më i duhur për këtë. E dimë se zgjerimi i BE-së nuk do të bëhet gjatë kryesimit tonë, por që duhet qartësuar shteteve kandidate se çfarë mund të presin saktësisht për të hyrë në BE”, ka thënë Borissov, përcjell Klan Kosova.
“Ballkani është shumë i brishtë edhe koha është e brishtë dhe nëse diçka fillon të lëkundet, do të lëkundet e tërë Evropa”, ka pohuar ai.
Ai ka thënë se perspektiva evropiane e Ballkanit do të diskutohet në samitin e majit që mbahet në Sofje, e që do të ndiqet edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Borissov ka thënë se ky do të jetë samiti i tretë ku do të mblidhen vendet, pas atyre të mbajtur në Thessaloniki më 2003 dhe në Zagreb në vitin 2000.