Pak ditë para se Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq të takoheshin në Bruksel, më 14 qershor, në Kizhevak të Serbisë u gjetën trupat e 11 shqiptarëve të Kosovës, të vrarë e të zhdukur nga Serbia, në luftën e vitit 1999.
Dy ditë pas mubaheteve të liderëve të dy vendeve që assesi nuk pajtohen mes vete, në Mitrovicë u identifikuan eshtrat e Nezir Shabanit, njërit prej të rinjve më të edukuar dhe më perspektivë të qytetit. Ai ishte kidnapuar, bashkë me shokun e tij të klasës, Selajdin Mehmeti, në shtëpinë e këtij të fundit dhe ishin dërguar diku në veri. Më pastaj, të dy do të ekzekutoheshin, më 5 qershor 1999, për t’iu hedhur trupat bashkë në një gropë në varrezat e myslimanëve të Mitrovicës. Kurrkush nga serbët ose Serbia nuk kishin treguar, të paktën, se dy shokët e klasës ishin groposur në këtë vend.
E para ngjarje po, mbase, por e dyta kurrsesi që jo, nuk u përmend në takimin me përmasa historike të Brukselit.
E kaluara si në këto raste, por edhe më të rënda se to, është pjesë e takimeve të kësollojta, ku liderët e Kosovës dhe Serbisë takohen në përpjekje për t’u marrë vesh mes vete. Kjo pasi e kaluara është arsyeja pse ata bisedojnë mes vete.
Por, para, gjatë dhe pas takimit të 14 qershorit, ndodhi një befasi. Ajo nuk erdhi nga Kurti, e as nga Vuçiq. Ishin organizatorët dhe ndërmjetësit e BE-së, që habitën shumëkënd, e në radhë të parë kosovarët, kur kërkuan që negociatorët të lënë prapa të kaluarën, ku me patjetër zënë vend edhe historitë e dhimbshme të 11 të gjeturve në Kizhevak dhe ajo e Nezirit dhe Selajdinit nga Mitrovica.
Josep Borrell, kryediplomat i BE-së dhe nikoqir e fasilitues i takimit Kurti-Vuçiq, ishte i pari që kërkoi të lihet pas ajo që ndodhi, me idenë se tash duhet shikuar para.
“Bashkimi Europian dhe unë personalisht jemi të interesuar të shohim progres të shpejtë që më në fund ta lëmë të kaluarën prapa, të arrijmë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ta bëjmë të ardhmen europiane një realitet”, tha ai, në një konferencë para se të niste dita e rëndë e takimeve të rëndësishme në Bruksel, të martën.
Në këtë kohë nuk mundi, por emisari i Borell për dialogun Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak u ngut ta “konfirmojë” shefin e tij sapo takimi mori fund. Por, ky shkoi pak më larg, teksa mori guximin që për këtë punë të flasë edhe në emër të qytetarëve të Kosovës.
“BE-ja, sikurse qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, kanë pritje të mëdha nga dy liderët që të tejkalojnë trashëgiminë nga e kaluara dhe që dy vendet të orientohen drejt së ardhmes”, deklaroi Lajçak, pas takimit të 14 qershorit.
Kërkesën e BE-së për ta lënë prapa një të kaluar të dhimbshme të Kosovës si dhe mosndëshkimin e saj, e quan të pamoralshme profesori i gazetarisë dhe analisti politik, Milazim Krasniqi, sipas të cilit, në këtë çështje, Kosova ndodhet nën presion të madh ndërkombëtar, veçanërisht nga Brukseli.
“BE nuk ka qëndrim të balancuar, sepse Serbinë e trajton si shtet dhe Kosovën jo. Kjo me siguri i ka efektet e veta edhe në vetë procesin e dialogut, si dhe në vetë vlerësimet që japin, sepse në momentin që thuhet se duhet harrohet e kaluara tregohet se duhet harruar dhuna, terrori dhe gjenocidi që ka ushtruar shteti serb dhe kjo është minimalisht jokorrekte, por realisht edhe e pamoralshme”, tha ai në një bashkëbisedim për portalin klankosova.tv.
“Pra, harresa nuk duhet të ndodhë. Mund të kërkohet që të gjendet formula e pajtimit, por që të harrohet e kaluara nuk është standard europian, meqë Europa edhe më tutje i kujton krimet që kanë ndodhur në vendet e saj, për shembull nga nazifashizmi”.
Krasniqi ka kritikuar qasjen e BE-së, që sipas tij, kur Serbia refuzon presionin, ia shtojnë atë Kosovës, duke thënë se kjo është formula për të çuar drejt dështimit procesin e dialogut.
Se e kaluara nuk duhet hequr nga tavolina e bisedimeve të Brukselit, e thotë edhe publicisti Shkëlzen Gashi. Sipas tij, duhet të ndodhë pikërisht e kundërta që nënkupton se në fillim t’u gjendet një zgjidhje temave të së kaluarës, e pastaj të flitet për të ardhmen.
“Lajçak dhe Borrell po sugjerojnë që ta lëmë të kaluarën mbrapa. E kaluara është mbrapa. Detyra jonë është që t’i zgjidhim të gjitha problemet e të kaluarës në mënyrë që të mund të kemi normalizim të raporteve”, tha ai.
“Delegacioni i Kosovës shtroi vetëm çështjen e të pagjeturve, e do të duhej të shtroheshin edhe: vrasjet e civilëve, përdhunimet e grave dhe burrave, burgosjet dhe pengjet, deportimet brenda dhe jashtë Kosovës, komunitetet e shkatërruara (fshatra të rrënuara, komunitete të lëna pa burra, bagëti të vrara, plaçkitje të pasurive të tundshme, konfiskimet e dokumenteve personale), objektet e shkatërruara (shtëpitë, shkollat, ambulantat, fabrikat, xhamitë, medresetë, teqet, kishat), e me radhë”.
Gashi shtoi se përveç temave të së kaluara që kanë të bëjnë në radhë të parë me dëmet e luftës, Kurti do të duhej të shtronte për diskutim edhe të gjitha problemet tjera që Kosova ka me Serbinë.
Ai mendon që edhe Serbia ka tema për të vënë në tavolinë.
“Serbia le ta përgatisë listën e vet. Ne duhet të përgatitemi për kundërpërgjigje ndaj listës së Serbisë”, tha ai për Klankosova.tv.
E Serbia pritet ta bëjë këtë, duke e paraqitur veten, në njëfarë mënyrë edhe si viktimë, por edhe duke u shfaqur më e ashpër në dialog.
Këtë e pranon edhe analisti Milazim Krasniqi, që thotë se kjo nxitet edhe nga “retorika e re dhe e ashpër nga ana e Kosovës”.
“Takimi në Bruksel ka ardhur pas një kohe të gjatë të ngecjes së dialogut dhe pas ndryshimeve që kanë ndodhur në qeverisjen në Kosovë, rrjedhimisht ka edhe elemente të një diskontuiteti, veçmas sa i përket qëndrimeve politike në Kosovë, sepse Albin Kurti ka adaptuar një retorikë tjetër në raport me qeveritë e kaluara. Ai ka ngritur një retorikë shumë më të ashpër lidhur me këtë proces dhe me dyshimet rreth tij dhe kjo është pritur që të reflektohet në takim, gjë që edhe ndodhi. Mbetet të shihen konsekuencat e këtij qëndrimi apo ndryshimi te faktori ndërkombëtar”, tha ai.
“Ajo që tash për tash mund të thuhet është se Vuçiqi do të shfrytëzojë në maksimum këtë qasje pak më të ashpër të Kurtit për të luajtur rolin e viktimës edhe për ta paraqitur Serbinë si viktimë të një retorike nacionaliste nga ana e Kosovës”.
Sipas analistit Krasniqi, kjo retorikë padyshim që ndihmon në mobilizimin e serbëve dhe mund të ketë ndikim direkt në negociatat e sapunisura.
“Një titull në një tabloid serb pas takimit ishte “Serbia në këmbë”. Pra, do të ndodhë një mobilizim shumë më i madh në Serbi që do të komplikojë sigurisht edhe negociatat e ardhshme. Unë jam i bindur që Kurti e ka në shpërpjesëtim mënyrën se si deklarohet dhe mënyrën se çfarë kërkon në raport me gjendjen reale që e ka Kosova në këtë proces dhe në raport me Serbinë, por edhe në raport me faktorin ndërkombëtar”.
E për faktorin ndërkombëtar ka një këshillë Gashi. Ajo ka të bëjë më finalen e dialogut.
“Qëllimi i këtij dialogu duhet të jetë normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe të Serbisë. Parakusht i normalizimit të këtyre marrëdhënieve është njohja reciproke. Prandaj, ndërmjetësit ndërkombëtarë duhet të vendosin tri parime të panegociueshme në këtë proces: a). njohje reciproke; b). normalizim të raporteve; dhe c). palët i listojnë problemet që duan/duhet t’i zgjidhin”, tha ai.