Askush më mirë se ylli kroat, Andrej Kramariq, nuk mund të flas për ndryshimin rrënjësor që ka pësuar Hoffenheimi në këtë edicion.
Në edicionin e kaluar Hoffenheimi përfundoi vetëm i 15-ti në Bundesligën e Gjermanisë në futboll. Ishte pozita e fundit që nuk dërgoi në plejaut apo në Bundesliga 2.
Këtë edicion Hoffenheimi ka pamje plotësisht tjetër. Është stabilizuar në pozitën e tretë në elitën gjermane, me synime që të dal edhe në të dytën. Kualifikimi në Ligën e Kampionëve është plotësisht i mundur.
Ky ndryshim rrënjësor është bërë i mundur kryesisht falë transferimeve të finalizuara në verën e kaluar. Dhe tre yjet e Kosovës, Leon Avdullahu, Albian Hajdari e Fisnik Asllani ishin ardhjet kryesore.
Mesfushori Avdullahu ishte transferuar nga Baseli për 8 milionë euro. Mbrojtësi Albian Hajdari ishte transferuar nga Lugano për 5 milionë euro. Sulmuesi Fisnik Asllani ishte kthyer nga huazimi tek Elversbergu.
Hoffenheimi bëri edhe transferime të tjera të suksesshme, por me tre shqiptarët ia qëlloi plotësisht.
Kramariqi, që ka 112 paraqitje e 36 gola për Kroacinë, është pjesë e Hoffenheimit që nga janari i vitit 2016. Është legjendë e klubit gjerman. Dhe po vazhdon të shkëlqejë.
“Ajo që Andreas Schicker dhe Christian Ilzer e kanë bërë në verë është e pabesueshme. Kemi bërë disa transferime të shkëlqyera. Ka energji fantastike në skuadër. Për mua, është ekipi më i mirë të cilin e kemi pasur në këto dhjetë vjet. Është top-ekip, kemi top-kualitet, shumë potencial. Kemi lojtarë të rinj dhe me përvojë. Ky miksim është i përkryer. Po shikojmë para drejt ndeshjes në Mynih. Do të jetë test i rëndësishëm”, ka thënë Kramariq pas fitores 3:1 ndaj Union Berlinit, të shtunën.
Hoffenheimi është në seri prej pesë fitoreve në Bundesligë. Të gjitha këto fitore i ka prej 14 janarit e tutje. Në ka humbur shtatë ndeshjet e fundit kampionale. Më 8 shkurt do të ketë sfidë serioze. Do të përballet me Bayernin në udhëtim.
Schicker është drejtor sportiv i Hoffenheimit, ndërsa Ilzer trajner i skuadrës. Të dy janë austriakë.
“Askush nuk do të kishte besuar këtë para fillimit të edicionit, me gjasë as ne vetë. Djemtë po bëjnë punë vërtetë të mirë, javë pas jave. Kam pasur ndjenjë të mirë që në korrik në kampin përgatitor. Kam parë që djemtë po kalojnë mirë mes vete, që është gjithnjë shenjë e mirë”, ka thënë Schicker pas fitores ndaj Berlinit.
Kroati Kramariq të shtunën i shënoi dy gola në fitore. Këtë edicion ka tetë gola e katër asistime në 20 paraqitje kampionale.
Ndaj Union Berlinit startuan edhe mbrojtësi Hajdari, mesfushori Avdullahu dhe sulmuesi Asllani. Të tre lojtarët, që tashmë janë “boshti” i përfaqësueses së Kosovës, patën paraqitje pozitive. Asllani nxori një penallti. Ai la fushën në minutën e 78-të. Avdullahu e Hajdari e kompletuan një tjetër ndeshje.
Hoffenheimi vetëm një herë ka përfunduar në vendin e tretë në Bundesligë, në vitin 2018. Me tre shqiptarët në përbërje ajo pozitë duket e arritshme. Ndoshta edhe e kalueshme.