Bosnja ka “non-paperin” e saj

Prishtinë | 03 Maj 2021 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka thënë se edhe Republika Sprska ka “non paperin” e saj dhe se kur ta shohë të arsyeshme do ta shpërndajë, ka shkruar të hënën agjencia serbe “b92”.

“Gjithçka po shkruhet, por nëse është modë, ja nuk jam duke bërë shaka, ne tashmë kemi bërë një non-paper tonin, kështu që një ditë, kur të vendosim, do t’ua shpërndajmë të gjithëve”, u tha Dodik gazetarëve në Banjallukë.

Dodik, që po insiston për ndarje të Republika Sprskas nga Bosnja, ka folur për “non-paperin” në kohën kur dy këso dokumente jozyrtare, kanë trazuar opinionin e gjerë në Ballkan.

Fillimisht doli një që u tha se është përgatitur nga kryeministri i Sllovenisë, Janez jansha, e ku parashiheshin ndryshime kufijsh, përfshirë edhe ndarjen e Bosnjës dhe të Kosovës, e më pas një për të cilin tha se pas tij, qëndronin Gjermania e Franca, e ku kryesisht kishte të bënte me Kosovën.

Dodik mbetët i përkushtuar për arritjen e pavarësisë së Republika Srpskas, sipas tij, vetëm në rrugë paqësore.

Deri më tash, këto dokumente jozyrtare janë kundërshtuar nga anëtarët tjerë të presidencës së Bosnjës dhe nga krerët e Kosovës. Krerët e Serbisë, kanë thënë se “non paperi” për Kosovën “është i mirë për serbët, por jo mjaftueshëm sa kërkon Beogradi”.

Të ngjashme