Bota në veprën e Kadaresë dhe kjo vepër për Botën edhe sot

Prishtinë | 19 Dhj 2016 | 14:38 | Nga

Strukturat e krijuara nga Vepra e Kadaresë janë dhe mbeten në lëvizje bashkë me lëvizjen e Botëve. Do të ishte jo profesionale ideja e retushimit të një vepre pas botimit të saj, përpos rastit të veprimit drastik të censurës mbi të, pasi nëse gjithë shtypja është amortizuar në brendinë e formës, që më në fund është shfaqur, vepra është e arrirë. Ideologjitë nuk mund të gjykojnë një strukturë të vetëmjaftueshme.

Ajo është subjekt i kulluar i qenies, që nuk gjykohet por tejkalohet
Në tërësinë e saj Bota shfaqet pasi ka stabilizuar e ndarë një linjë dalluese, në kahen pozitive të së cilës ndërtohet një mënyrë e përafërt dhe e qëndrueshme e sensit të Kuptimit, që ndryshe quhet Bota Pozitive. Por jo gjithmonë mund të ndodhë kështu. Ligjet e legacisë kanë mënyrat e veta për t´í dhënë formë shoqërisë dhe në variabilitetin kompleks të krijimit, marrin pjesë më shumë se një, dy apo tre faktorë, dhe jo vetëm të brendshëm.

Edhe në Botët më pak autoritative, struktura e brendshme e organizimit të shoqërisë është përcaktuar nga sfida e shtërngime të jashtme, të cilat marrin pastaj formë të brendshme, por që gjithsesi mbeten kushtet (kondicionet e shtrëngimit) prapa determinimit.
Në varësi të ndërkomunikimit, ky element ndërlidh strukturën në vijimësinë dimensionale.

Struktura krijon jo vetëm marrëdhënie por edhe gjuhë, ide, perceptime për to, nga to, pro dhe kundër tyre, vënie në diskutim, aprovim, mohim, ambiguitet, radikalizim etj.

Nga kjo pikëpamje, propozicioni i një shoqërie është veçse një rol midis rolesh, brenda lidhjeve, për të mbajtur e riprodhuar në mënyrë relative stabilitet e vazhdimësi kuptimi, në njësi dhe tërësi, si skematizim dhe si proces.

Organizimi social bëhet element ndërtimi (edhe kur mund të duket dekonstruktiv) siç është rasti i izolimit apo moskomunikimit të një shoqërie si Shqiptarja, pas Luftës së Dytë Botërore.

Bota është gjithmonë e ndërtuar në kontraste edhe kur paraqitet si Bota më e mirë midis botëve. Sa kohë që Botët ndërtohen nëpërmjet diferencës, duke përdorur si mjedis Tjetrin, nuk mund të kemi Botë të mirë apo të keqe në kuptimin përfundimtar të fjalës, por mund të kemi Botë. Kështu kemi edhe kuptime, në të njëjtën mënyrë, duke diferencuar. Kemi po ashtu Botë të ndryshme nëpërmjet kuptimeve të ndryshme. Kuptimi nuk është gjë tjetër veçse funksioni i ndarjes, i diferencimit dhe krahasimit. Çdo botë, për aq sa ekziston është e nevojshme, sepse pasuron dhe vazhdon kuptimin, dhe ajo ndryshon apo zhvillohet, vetëm kur humb kuptimin (kushtet e qenies së saj). Pra jeton në vazhdimësi dhe krijon vazhdimësi për vete e për të tjerë, që do të thotë qenie, pra Botë.

Asimetritë e Botëve nuk janë gjë tjetër veçse pjesëtime komplemente (plotësuese) të një panoragrame që, në tërësi, është e gjithë Bota. Në kushte të një rreptësie shtrëngimi u organizua shoqëria Shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Besimi i kësaj bote ishte me latencien më humane të mundshme: Vënia e interesit kolektiv mbi atë personal. Kjo aspiratë që kthente teorikisht shoqërinë në shërbim të mjedisit njerëzor, nuk mund të realizohej, pasi ajo, Shoqëria, asnjëherë gjer më sot nuk ka ekzistuar, veçse si përdoruese e mjedisit njerëzor për veten e saj, pra përdorimin e Tjetrit për vete, për të ruajtur diferencimin dhe hierarkinë, Sistemin, pra diferencialin.

Qysh në themelimin e vet ky princip vuante nga paradoksi. Kuptimi është krijuar prej diferencimit, ndërsa princip drejtues u bë barazitizmi, domethënë zhdukja e diferencës, pa të cilën kuptimi nuk ekziston, madje as Shoqëria në kuptimin social.

Semantika të një idealiteti të pamundshëm u krijua, të cilat kishin një shkëputje ekstremisht të lartë me realitetin dhe aq më pak supozonin kushtet e jetës ku determinonin. Bota e Madhe i krijoi ato, si një zgjatim, për të markuar zona, të cilat nuk mund të përfshiheshin në mënyra më të favorshme operacionale brenda saj, veçse si izolim, pa konflikt.

Vështirë të gjendet një thellësi alienimi (tjetërsimi) më ekstreme, midis kushteve të qenies dhe interpretimit të tyre, sesa ajo e shoqërisë Shqiptare në ato dekada. Megjithatë, jeta vazhdoi nën sferën e një frustrimi të thellë kundrejt reflektimit, gjë e cila u pasqyrua si presion mbi gjuhën dhe shprehjen.

Gjithsesi pati zhvillime, edhe brenda tendosjes, të cilat mund të përmblidhen në tërësi: në kapërcimin e Botës Shqiptare nga rendi thuajse fisnor patriarkal, në atë social-shtetëror, drejtuar nga lufta e klasave, ku manipulohej diferenca.

Në këto kushte të Formës u krijua dhe u zhvillua vepra komplekse e autorit të njohur mbarë botëror, Ismail Kadare, e cila vijëzoi një strukturë artistike cluster për këto zhvillime të botës, duke hyrë në një aksion simbolik e artistik për të signifikuar e krijuar ura midis realitetit dhe idealitetit, midis reales dhe joreales, botës unike dhe Botës totale, sfidave mes tyre në krahasim me të, për të ruajtur vazhdimësi dhe siguri.

Tema të mëdha të radikalitetit të botëve u shqyrtuan në veprën e Tij, në mënyrë të veçantë te Dimri i Vetmisë së Madhe, vepër e një dimensioni e diskursi jo vetëm të shoqërisë Shqiptare, por edhe më gjerë, e raporteve përtej kufinjve të botës sonë, e përqasjes me risk të principeve drejtuese të Botëve, që artistikisht provonin edhe një herë vetminë e Qenies së vogël në raport me Qenien e madhe, dhe ndoshta, pse jo, shtrëngimin që bëhej për të mbetur karakterialë, me vazhdimësi deri në fund të principit, të paradoksit që na kish takuar, për hir të vazhdimësisë totale, historisë.

Ide dhe hipoteza u vunë në demonstrim nga kjo vepër, drejtime të mundshme të fatit njerëzor, ndarje e rindarje nga Bota, dilema, probleme të vazhdimësisë së Botës, por edhe pikëpyetje për Botët e tjera, të cilat edhe ato i mbartnin Brenda vetes së tyre: dyshime për mënyrat e zhvillimit, për vete dhe të Tjerë, në forma Politike.

Drama individuale e njeriut u duk haptas te varësia e koshiencës nga Bota, e sjelljeve, e vendimeve, e gjendjeve të brendshme të pështjelluara: dobësia, luhatja e linjës dalluese shpirtërore, cedime morale, humbja e vëmendjes kundrejt asaj që konsiderohet intime, status individual… Sidomos këto transpirojnë kur heroi i veprës ndihet i huaj dhe i pafuqishëm ndaj dashurisë së tij, prej botës së brendshme që i është tronditur, pasi edhe ajo ekziston në referencë me qëndrueshmërinë e Botës.

Palë të ndara e të paafrueshme, afrojnë atë çka dallimi ka distancuar: qasje fizike. Rrëshqitje në rrugë jo të lira, të dyshimta, të pakthimta, të stërpikura, ndodhin nën rënien metaforike të personazheve. Njerëz që janë kopje të një mënyre që është më e madhe se ata vetë dhe që i dërmon e zhbën, sapo lëkundet. Besimi si strukturë sociale në besim.

Vepra hap polemika për kohën, por jo vetëm, vë në diskutim perceptimet rreth Botës, orientimet dhe vendimet që lidhen me fate. Tronditje botëkuptimore, të cilat në botën e natyrës nuk thonë asgjë, për botën e Kuptimit, të Qenies shoqërore, paraqiten si drama deri në cak tragjik!

Dimensione madhështore merr figura e Udhëheqësit, fuqia e të cilit është e mishëruar jo vetëm në vendimmarrjen e tij, por në përnënësinë e forcave që përcaktuan vetë vendimmarrjen, që mbeten edhe sot të padukshme, dhe ruajnë edhe sot dimensionin social të veprës, në nivel raportues për Botën, dhe artistik për lexuesin.

Konfliktuimi i vazhdueshëm i pritshmërive detyron vendimmarrjen, pohojnë autorë modernë, të cilët po ashtu evidentojnë si mungesë: një shkencë të kushteve psikologjike të vendimmarrjes, e cila ende pra nuk ekziston, por që mund të ndryshojë shumë përkufizime të derisotme të psikologjisë dhe sociologjisë. Vendimi nënkupton një veprim që do japë një reaksion të caktuar, të një pritshmërie që lidhet me veprimin. Mbi të gjitha, vendimmarrja është një çështje që lidhet ngushtë me konseguencat e vendimit që do të merret. Nga kjo optikë, vepra ruan mistere.

Një vepër e një dimensioni të madh ndërkulturor mbetet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur. Lufta si një shpartallim simbolik i njeriut, i linjave dhe orientimeve të një vetëreference që paraqitet si esenciale për t´u mbajtur, koservuar dhe shtrirë përtej vetes; e identifikimeve të pazëvendësueshme, që marrin kohë – jetën, për tú shkruar e për të vepruar si qelizë e ndërgjegjes; deqelizëzimi i shpirtit nga vdekjet, humbjet, disfatat e betejave; nostalgjia, në rastin e Gjeneralit: kërkimi dhe honorifikimi i eshtrave, koha dje në kohën tani, si rëndesë mbi këtë të fundit, ku reflektimi zë edhe një herë kohën tani, pasi koha dje ka hyrë në aksion pa reflektuar…

Kështu botët ndërhyjnë te njëra tjetra në rrafshin kronik dhe diakronik, duke peshuar e balancuar, atë që principi individual disbalancon për entropi të tijën si Qenie. Liria individuale e qenies, paraqitet si e drejtë mbi qenien, por kjo e fundit, që kufizohet nga padrejtësia e drejtësisë, vë kufi ndaj saj, për të mos mbajtur peshë pa fund, në gravitetin e diferencimit.

Besimi dhe identifikimi kanë inertësinë e tyre. Ato kërkojnë akses para vetëndryshimit, akses në botën që ua kërkon ndryshimin, por asnjë mbret deri më sot përveç Budës, nuk e ka falur mbretërinë e tij, që të shtojë akses në konceptin e tij!

Strukturat e krijuara nga Vepra e Kadaresë janë dhe mbeten në lëvizje bashkë me lëvizjen e Botëve. Do të ishte jo profesionale ideja e retushimit të një vepre pas botimit të saj, përpos rastit të veprimit drastik të censurës mbi të, pasi nëse gjithë shtypja është amortizuar në brendinë e formës, që më në fund është shfaqur, vepra është e arrirë. Ideologjitë nuk mund të gjykojnë një strukturë të vetëmjaftueshme. Ajo është subjekt i kulluar i qenies, që nuk gjykohet por tejkalohet.

Struktura e veprës letrare dhe jeta e saj e pavarur

Jeta e pavarur e një strukture letrare fillon pas momentit të publikimit dhe është në duart e shoqërisë jetëgjatësia e saj. Asnjë strukturë letrare nuk mund të prodhohet e të jetojë jashtë mjedisit shoqëror, domethënë jashtë komunikimit. Por ato, strukturat letrare, mund të mbeten të shurdhra apo në hije edhe pas shfaqjes së tyre në hapësirën publike, për një kompleks arsyesh. Ligjet e signifikancës kanë rrugët e veta dhe ende nuk kemi një shkencë për to.

Paradokset e jetës së një strukture letrare janë nga më të ndryshmet. Ato fillojnë që prej ngjizjes së që është procesi para dhe shkrimor, më pas redaktimi dhe parapëlqimi për botim, përkthimi e hyrja në gjuhë më të mëdha, deri te deviancat që merr kuptimi i teksteve në vartësi të formulimeve sociale e politike, që paraqiten si autoritet i ndërmjetëm shoqëror, si me thënë vija e parë, që përcakton reagimin dhe perceptimin social ndaj veprës.

Është kjo vijë në vazhdimësi që cakton distancat e mbajtjes apo jo në vlerë të një teksti te caktuar, d.m.th., të një vepre letrare, sigurisht brenda gjendjes së kulturës, lirive dhe trysnive me të cilat ajo vetëmbështillet.

Si media e një transmetimi mpiksës, shkrimi dhe teksti, pra vepra letrare, paraqitet si një strukturë autonome përgjithësuese. Por dimensioni social i veprës dhe jetëgjatësia e saj, sigurisht janë relative dhe tranzitore, që varen në një thellësi të konsiderueshme nga kushtet historike, vazhdimësia apo ndërprerja e tyre, si dhe rimarrja e kushteve që mund të kërkojë rimarrjen e veprës. Kështu dimensionet lëvizin fizarmonikë.

Autoriteti i veprës vetë rëndon edhe mbi autorin, jo vetëm për peshën që mbart kuptimi në momentin e shfaqjes publike te saj (shkëputjes), e si do të përgjithësohet ai nga kritika e opinioni letrar dhe jo letrar, por edhe për faktin se struktura e veprës nuk ka mundësi të vetëmodifikohet në vite, pasi është e ngurtë, e ndërkaq shoqëria lëviz, në drejtime pozitive ose ngative, por që fuqia e autoritetit legal të saj, e ashtuquajtura Vlera, gjithmonë e konsideron pozitive së jashtmi lëvizjen e vet, dhe në këto dinamika, vepra letrare është gjithmonë në riinterpretim, ridimensionim, në pranim ose refuzim, apo të dyja sinkron, gjë e cila krijon historinë e mënyrës se si jetoi një vepër letrare dhe ndriçon perspektivën e saj deri diku.

Nga ky vështrim vepra e këtij autori ka kaluar peripeci që u takon autorëve të historisë së peripecisë së veprave letrare dhe faktologëve të kësaj shkence të ardhshme, të merren me to. Por është fakt që vepra e autorit mbijetoi dhe krijon ende me sukses vazhdimësi kuptimi. Vepra e Kadaresë, qysh prej gjeneze ka paraqitur risqe të perceptimit, nga ndërtimi i saj strukturor e gjuhësor, pasi ka provokuar ide, mendim dhe është pritur, interpretuar, e përjetuar në mënyra të ndryshme, të tre procese dalluese këto, por edhe të ndërvarura për jetën e veprës letrare.

Natyrisht, në kulmin e significancës së saj, kjo vepër, në rishtjellime dhe lakime, në procedim të objektit të vet, është pritur si një riperceptimi i fuqishme botës, i një dimensioni që sigurisht nuk ishte vetëm i asaj shqiptare, pasi realiteti ishte sa kompleks aq edhe i fshehtë për t’ú kuptuar e dimensionalizuar nëpërmjet artit. Ai duhet të ruante vazhdimësinë mes kulturës dhe shoqërisë, duke sjellë rijësinë, një punë kjo që kalonte asokohe në vrimë të gjilpërës.

Detyra themelore e veprës është jo vetëm të sigurojë përtëritjen në interpretimin e botës, por edhe vazhdimësi të jetës së Kuptimit në bashkësinë ku ajo shfaqet. Vazhdimi i kuptimit mbetet kushti themelor i vazhdimit të jetës në tërësi. Nga pikëpamja e këtij balancimi, kjo vepër paraqitet gjeniale për kontekstin e kohës ku u shfaq dhe kapërcen çdo imitim për nga bukuria gjuhësore.

Ajo u bë dhe vazhdon të mbetet një nga pjesët më të plota dhe autentike të identitetit shqiptar dhe nuk mund të diskutohet ndryshe, nëse identitete të tjera, të të tjera bashkësive, gjuhësh dhe ndërgjegjesh, nuk do të hiqnin dorë më parë, nga vlerat e tyre.

Zhvillimi i gjuhës dhe i mjeteve shprehëse në nivel norme letrare është gjithmonë i lidhur me Botën Pozitive dhe ligjësitë e saj, në – e në kontrast me to. Kjo vepër, pavarësisht peripecive, i ka siguruar vetes nëpërmjet kulturës së saj, një ngarkesë të jashtëzakonshme leksiku, metafora, struktura sintaksore e mjete të tjera shprehëse qe nuk i gjejmë në këto nivele në autorë te tjerë bashkëkohorë dhe që dukshëm ka afektuar gjuhën shqipe, duke pasuruar Gjuhën kombëtare letrare me një pluralitet kuptimesh të reja, si dhe ka krijuar shumë fjalë e forma të perceptimit të realitetit, që impresionojnë dhe aktivizojnë imagjinatën, duke e përgatitur lexuesin për të hyrë lirshëm në literaturën e sistemeve të tjera bashkëkohore, më komplekse nga niveli i vetë-observimit.

Autorë të tjerë analizuan diferencën e Botës Shqiptare në ato vite, autorë të një Negacioni të madh. Pasuria e tyre gjuhësore edhe pse modeste, pasi edhe kodifikimi në kushte Negacioni është tepër i vështirë, u shoqërua me ide të shkëlqyeshme të dallimit dhe shënimit, të universalitetit befasues, ende te pafunksionalizuara në dimensione të gjera sociale edhe sot, prej autoritetit të ndërmjetëm.

Ndoshta sepse çështja e identitetit ka qenë gjithmonë haptas e varur nga identiteti i të tjerëve për ne, nga kjo pikë, gjithë kushtet social historike dhe letrare shqiptare kanë një epërsi mbi ato të të tjerëve: vënien në diskutim të vazhdueshëm të identitetit dhe konvertimin e besimit dhe të drejtimit, me shekuj, një truall ky që nuk resht së lëkunduri dhe që, për këtë arsye, e ka të vështirë të impresionohet nga ndonjë semantikë e ndonjë identiteti të veçantë botëror, sado special e universal në tërësinë e tij.

Dhe ky është një dimension që do të vazhdojë të manifestohet, jo vetëm në referencë e këtij autori, por edhe të autorëve të tjerë të Letërsisë Shqipe, për të cilët do të vijë radha të flitet më gjerë, një ditë.(Mapo.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme