Panairi i librit “Prishtina 2023” mbledh rreth 100 botues, prezantohen 2 mijë tituj të rinj

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 13:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë është hapur panairi i librit “Prishtina 2023”, raporton Ekonomia Online. Sipas organizatorëve në panair do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora dhe se janë rreth 2 mijë tituj të rinj.

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, që është edhe mysafir nderi i Panairit, tha se ndihet i lumtur që ndodhet në hapjen e Panairit të Librit.

Ai shtoi se libri çdo populli i bënë nderë të madh.

“Jam shumë i gëzuar që ndodhem midis jush në këtë ditë kaq të bukur, kaq frymëzuese, aq të pa harrushme që është dita e librit. Çdo populli i bënë nderë të madh. Unë shpresoj që do të rikthehemi më mirë, më fortë, më bukur. I’u falënderoj për këtë pritje”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti ka takuar dhe pati një bashkëbisedim me Kadarenë, i cili i dhuroi të nënshkruar librin e tij ‘’Aksidenti’’. Kurit ka thënë se i lexon një herë në vit disa nga veprat e mëdha të Kadresë sepse ka “shumë punë e obligime dhe kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve”.

“Vetëdija jonë për veten si komb shqiptar është në masë të konsiderueshme e formësuar nga romanet dhe nga poezia e Ismail Kadares. Ne atij jemi borxh sa s’thuhet”.

“Unë për veten time për çdo vit e lexoj “Përbindëshin”, e lexoj “Kronikë në gur”, “Aksidentin” dhe “Pallatin e ëndrrave”. I lexoj një herë në vit, në mënyrë që të mos i marr në dorë për çdo javë, sepse kemi shumë punë e obligime dhe kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve. Romanet e Kadaresë ta braktisin profesionin që ke, prandaj është e domosdoshme për mua ta mbaj këtë ritëm një herë në vit, jo më shpesh”.

Sipas Kurtit, Panairi është i një rëndësie të madhe dhe se dëshiron që panairi të ketë ndikim mendor e shpirtëror te të rinjtë.

“I nderuar Ismail Kadare, për mendimin tim shkrimtari më i madh i gjallë sot në botë. Panairi është si një festival i librit, lexuesi mund të vije si çdo vit, mandej mund të vije jo vetëm si lexues por edhe si shkrues. Sepse libri ka edhe bukurin e vetë si punim artizanal. Panairin unë vetë e ndjejë si një qytezë, por edhe si një shoqëri të hapur, e mendje të hapur”.

“Dëshiroj thellësisht që panairi të ketë ndikim mendor e shpirtëror mbi të rinjtë. Dëshiroj të shohë këtu sa më shumë të rijnë. Qeveria jonë ka ristrukturuar tërësisht qasjen ndaj zhvillimit të librit, kemi gjashtëfishuar buxhetin për librin. Nga 160 mijë euro deri në 1 milion euro. Biblioteka Kombëtare e Kosovës po bënë transformimin dixhital duke u shndërruar në bibliotekën më të avancuar në rajon”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se libri është institucion i gjuhës, të shprehurit dhe rrëfimit, dhe si i tillë është formë bazike e konstitucionit human. Duke e konsideruar shtëpi të përbashkët të shkrimtarit dhe lexuesit, kryetari Konjufca tha se libri është mishërim i idesë dhe për rrjedhojë është i pashterueshëm.

“Kjo është arsyeja pse njerëzit janë mbledhur në të shkuarën dhe do të takohen gjithmonë edhe në të ardhmen për të festuar librin, siç po bëjmë ne sot”, tha kryetari Konjufca.

Duke folur për figurën e shkrimtarit Ismail Kadare, kryetari Konjufca tha se letërsisë shqipe ia siguroi një vend të pavdekshëm në atë që vetë e quan “letërsia universale”.

“Ismail Kadare gjithnjë ka qenë dhe është forcë gjigante e ngritjes së vetëdijes botërore për gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Ai për Kosovën bëri gjithçka që mund të bënte një intelektual i përmasave planetare. Kosovës i kushtoi edhe vepra dhe e kërkoi me ngulm lirinë tonë. Ishte zëri ynë kolektiv kudo që shkoi, në çdo intervistë, në çdo paraqitje, në secilin takim me figurat e rëndësishme politike të kohës”, tha Konjufca.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, tha se ky organizim është i rëndësishme për kryeqytetin, raporton EO.

“Sot në këtë epokë të ekraneve digjitale si dhe përparimeve të shpejta teknologjike është e domosdoshme që të ritheksojmë nevojën për lexim. Sidomos tekë brezat e rijnë”, tha ai.

Në kuadër të panairit do të shënohet edhe 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

Gjithashtu do të ketë mbi 40 aktivitete e promovime. Shkrimtari Ismail Kadare do të paraqitet me botimin e kompletit shtatëvëllimësh të veprave letrare, të cilat përfshijnë shtatë dekada krijimtari.

Do të bëhet edhe promovimi i vëllimit të fundit të ditarëve të Rexhep Qosjes, një komplet prej nëntë vëllimesh.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 09:00-20:00 dhe do të mbyllet më 11 qershor në orën 18:00.

Të ngjashme