Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), është një institucion kredibil i cili në të gjitha periudhat e pasluftës ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe ka ruajtur stabilitetin financiar në vend.
Marrë parasysh se qytetarët e Kosovës kanë pasur një eksperiencë jashtëzakonisht të hidhur nga bankat e ish YU , pas vitit 1999 BQK-ja dhe sektori bankar ka arritur të kthejë besimin e qytetarëve dhe institucioneve në banka, duke kaluar me shumë sukses kriza financiare botërore siç ishte ajo e vitit 2008 e sidomos kriza pandemike e vitit të kaluar, një krizë që ka gjunjëzuar edhe vendet më të zhvilluara në botë.
Bankat dhe sektori financiare ka te bëjë më së shumti në besueshmëri dhe stabilitet, për këtë qytetarët e Kosovës dhe investitorët e huaj duhet të vazhdojnë të besojnë në banka dhe në BQK, përndryshe vendi mund të përballet me probleme, Banka Qendrore si rregullator në vend, vazhdimisht ka ndjekur një politikë e cila ka nxitur stabilitetin financiar dhe fiskal në vend në mënyrë të vazhdueshme.
Marrë parasysh këto, sektori bankar ka pasur rritje të vazhdueshëm nëpër vite si në anën e obligimeve po ashtu edhe në anën e aseteve, e veçantë është se këto rritje janë shënuar edhe gjatë krizës botërore të 2008 (ku të gjitha vendet në rajon e pjesën më të madhe të botës kanë pësuar problem të ndjeshme me likuiditetin në vend). Po ashtu edhe gjatë krizës së fundit 2020 e shkaktuar nga pandemia, që tregon se qytetarët e vendit dhe të gjithë të tjerët besojnë në sektor bankar dhe në rregullatorin e saj
Kohëve te fundit kemi filluar të shohim shumë ndërhyrje direkte dhe akuza të shumta për BQK dhe bankat komerciale në vend, nga njerëz të politikës të cilët për nevoja të ndryshme të politikave ditore të tyre ose grupeve të tyre sulmojnë dhe tentojnë të lëkundin themelet e sektorit më të rëndësishëm në vend. Sektori financiar dhe BQK paraqesin një rendësi të veçantë për vendin dhe stabilitetit e tij ekonomik e politik.
Nga historia e BQK-së mund të themi se ajo e ka kryer me shume sukses misionin e saj dhe ka provuar se mund të udhëheqë suksesshëm edhe në kriza shumë të vështira, për këtë BQK-ja dhe udhëheqësit e saj meritojnë respekt.
Nëse politikanët fillojnë të lansojnë kampanja linçuese ndaj sektorit e sidomos ndaj BQK atëherë mund lehtë të lëkundin besimin e qytetarëve dhe investitorëve të huaj, institucioneve partnere, etj që mund të sjellin një ulje të rëndësishme të konfidencës në sektor që mund të sjellë në probleme me likuiditetin në vend në mënyrë të pashmangshme. Në bazë të përvojave botërorë të ndryshme kjo lëkundje e besimit mund të arrihet lehtë, por kthimi i besueshmërisë mund të jetë proces i vështirë dhe shumë i dhimbshëm për vendin dhe qytetarët e saj .
Për ketë është e rëndësishme që politika duhet të mbajë larg duart nga BQK si institucioni i rregullatorit financiar në vend. Deri me tani në gjitha periudhat kemi pasur fat në vend që BQK-ja ka funksionuar ne mënyre korrekte duke mundësuar një mjedisi të mire dhe stabil për qytetarët dhe investohet në.
Në bazë të statistikave dhe raporteve të ndryshme nga institucione kredibile në botë mund të themi se deri me tani Kosova ka sistem të qëndrueshëm bankar.
Është praktikë në vendet e zhvilluara, krijimi i bankave qendrore të pavarura. Këto vende kanë qenë të suksesshme në arritjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiare .Shumë faktorë të “vegjël “kontribuojnë në pavarësinë e bankës qendrore, theksi vihet në tre aspekte të pavarësisë :
bordi drejtues i bankës qendrore është i izoluar nga procesi politik;
bankat qendrore mund të refuzojnë të financojnë deficitet buxhetore të qeverisë; dhe
stabiliteti i çmimeve ka përparësinë si qëllimin përfundimtar të veprimtarisë së bankës qendrore.
Nisur nga ky fakt empirik, edhe Kosova duhet të mbajë bankën qendrore të pavarur, e për të bërë këto duhet të përcjellët me dhënien e hapësirës së nevojshme ligjore për një bankë qendrore të pavarur.
Mbajtja e një ekonomie në rritje në afat të gjatë me ritme të mjaftueshme për të siguruar punësim të plote për fuqinë punëtore me inflacion të ulët ose një nivel çmimesh të qëndrueshme duhet tenjë objektiv i rëndësishëm për politikën ekonomike.
Aktualisht, argumentohet se pavarësia e bankës qendrore është e rëndësishme për të arritur këtë qëllim.
Krijimi i politikave qeveritare të cilat në mënyrë direkte cenojnë pavarësinë e BQK-së, ku guvernatori dhe anëtarët e tjerë mbikëqyrës do të punonin në shërbim të qeverisë ndikojnë negativisht në besueshmërinë në vend dhe do të dëmtonte në mënyrë pariparueshme raportet me Bankën Botërore, FMN, institucionet ndryshme financiare ndërkombëtare partnere dhe në fund me qytetarin e vendit që janë kushte elementare për shend financiar në vend.
Me qëllim që BQK-ja të jetë e aftë të përmbushë në mënyrë efikase përgjegjësitë që i janë dhënë në ndërtimin ekonomik të vendit, është e nevojshme të mbahet dhe të ruhet pavarësia formale dhe zyrtare e Bankës Qendrore të Kosovës.