Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka organizuar një ligjëratë me studentët e Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ku është folur për qeverisjen korporative, rolin dhe rëndësinë e saj.
Shkëndije Himaj, koordinatore për funksione të përgjithshme në BQK, tha se qeverisja korporative përfshin mekanizmat dhe marrëdhëniet ndërmjet kompanive, të cilat janë të kontrolluara dhe të drejtuara me qëllim të harmonizimit të interesave të ndryshme brenda kompanive.
“Kryesisht qeverisja korporatave e ka marrë vëmendjen si rezultat i krizave të ndryshme. Kosova nuk ka një kod shtetëror për qeverisje korporative. Kjo do të jepte një impakt te investitorët për shkak se do t’iu tregonte atyre që vendi i respekton të drejtat e tyre”, ka thënë Hima.
“në kuadër të mekanizmave janë aksionarët, bordi dhe menaxhmenti. Ndërsa proceset që zhvillohen janë menaxhimi i rrezikut, kontrollet e brendshme marrëdhëniet në mes të palëve të interesit, zbatimi i politikave procedurave sistemeve etj”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, ato që më së shumti kanë nxitur problemet e qeverisjes korporative janë dështimet dhe kriza e vitit 2007.
“Bordi është mekanizmi më i rëndësishëm i qeverisjes korporative. Parimet kryesore të qeverisjes korporative janë, llogaridhënia që është përgjegjësia e bordit ndaj aksionarëve në kuadër të legjislacionit në fuqi, paanshmëria, transparenca, përgjegjshmëria. Një prej përfitimeve të qeverisjes korporative është se siguron veprime transparente dhe të përgjegjshme brenda kompanisë”, ka shtuar ajo.
Hima shtoi se institucionet financiare që kontrollohen nga BQK-ja kanë një qeverisje të mirëfilltë korporative.
Merdian Kukleci, drejtor i Departamentit i Riskut, foli për menaxhimin e riskut në institucione financiare.
Ai tha se varësisht sa kompleks është procesi aq më komplekse janë edhe rreziqet.
“Rreziqet me të cilat ballafaqohen institucionet financiare në Kosovë janë tek bankat që kanë rrezikshmëri gjatë kreditimit. Kompanitë e sigurimeve, rreziku sigurues, tek letrat me vlerë është rreziku i tregut ndërsa tek menaxhimi i pasurive rreziku operacional”, shtoi ai.
“Rreziqet e përgjithshme financiare janë: rreziku nga normat e interesit, nga këmbimet valutore, por meqë në Kosovë nuk e kemi valutën tonë jemi më pak të ekspozuar nga ky rrezik dhe rrezik tjetër është ai i likuiditetit”, tha Kukleci.
Sipas tij, mosidentifikimi i rrezikut është burimi kryesor i problemeve në të ardhmen.