BQK-ja ua shpjegon studentëve të UPZ-së ankandin e letrave me vlerë

Prizren | 29 Mar 2017 | 12:59 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës kanë mbajtur një ligjëratë me studentët e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, mbi ankandin e letrave me vlerë.

Në këtë ligjëratë u tha se sistemi bankar në Kosovë është i qëndrueshëm, ndërsa vlera e borxhit të brendshëm të Qeverisë së vendit deri më tani ka mbërri në 13,5%, borxh ky i cili është burim shtesë i të hyrave për Qeverinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare në BQK, Lulzim Ismajli tha se projekti i letrave me vlerë është implementuar kënaqshëm në Kosovë dhe se është shumë i rëndësishëm për funksionimin e një shteti normal.

“Për nga ana e borxhit dallojmë dy borxhe atë të brendshëm dhe të jashtëm. Borxhi i brendshëm është projekti i letrave me vlerë i cili u zhvillua në vitin 2011 në bashkëpunim me BQK ndërsa borxhi i jashtëm është borxhi të cilin Qeveria e Kosovës e merr kohë pas kohe për projekte specifike që po i implementon në Kosovë. Unë po i përmendi dy projekte të borxhit të brendshëm. P.sh., është projekti i ujit që është realizuar në Prishtinë ndërsa projekt tjetër ka qenë projekti i interesit”, ka thënë ai.

“Borxhi i brendshëm deri më tani ka mbërri në 13.5% e produktit të brendshëm vendor. Ky është një burim shtesë i të hyrave për Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

Kurse drejtoresha e menaxhimit të mjeteve, Shkëndije Nahi duke shpjeguar rëndësinë e letrave me vlerë theksoi se ankandi i parë ka filluar në vitin 2012, ku pjesëmarrës kanë qenë të gjitha bankat në vend.

“Sa i përket zhvillimit të tregut të letrave me vlerë ankandi i parë është mbajtur në janar të vitit 2012 ku pjesëmarrës kanë qenë të gjitha bankat në Kosovë dhe ky ankand ka filluar suksesshëm dhe të gjitha ankandet pas këtij vazhdojnë të jenë të suksesshme . Sa i përket tregut të letrave me vlerë të Qeverisë infrastruktura ligjore e letrave me vlerë është zhvilluar para fillimit të plasimit të ankandeve”, ka thënë ajo.

E studentët ishin të interesuar të dinin rreth borxhit publik madje kishin edhe pyetje për zëvendësguvernatorin, Ismajli.

“Meqenëse buxheti i Kosovës është aprovuar në vlerën prej dy miliardë euro supozojmë se këtë vit norma e rritjes ekonomike do të ketë deficit dhe me mbulimin e këtij deficiti sa do të rritet përqindja e borxhit të përgjithshëm të brendshëm dhe a mund të tejkalohet norma e lejuar prej 20 për qind e GDP-së. Sa do të jetë shteti likuid në këtë”, pyeti studenti Fisnik Haziraj.

E, zëvendësguvernatori duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve tha se në bazë të borxhit publik lejohet që deri në 40 për qind e bruto produktit vendor të hyhet në borxh.

“Në bazë të borxhit publik lejohet që deri në 40 për qind e bruto produktit vendor të hyhet në borxh, mbi 40 për qind nuk lejohet kështu që Kosova për momentin, Qeveria e Kosovës borxhin e ka 13.5 për qind por jo të shkaktuar prej letrave me vlerë mirëpo ne nuk e përmendem sepse negociatat që ka zhvilluar delegacioni i Kosovës me delegacionin serb në negociatat e Vjenës është marrë përsipër borxhi i ish Jugosllavisë që pjesa që i takon Kosovës në projekte konkrete dhe kjo pjesë e ka rrit shumën, nuk është marrë borxhi i përgjithshëm mirëpo është marrë vetëm pjesa e borxhit të Bankës Botërore mirëpo ka mbetur pa u zgjidhur edhe borxhi që ka i Londrës dhe Parisit por besojë që në negociatat e mëvonshme do të definohet edhe kjo pjesë. Pjesa e të drejtave nuk ka hyrë fare në bisedime që kujtoj që edhe kjo pjesë duhet të diskutohet dhe t’i jepet Kosovës e drejtë e pjesëmarrjes së të drejtave të saj”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë me marrjen e borxheve.

“Unë kujtoj që Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë me marrjen e borxheve, me marrjen e huave sepse ndryshe nuk zhvillohet vendi. Ne kur flasim për kredi gjithmonë duhet bazuar edhe në aspektin privat sepse asnjë projekt të madh në aspektin privat nuk mund ta realizosh pa kredi”, ka pohuar Ismajli.

E temat të cilat u prezantuan në këtë ligjëratë ishin: efekti i vlerave në përgjithësi në vend, organizimi dhe mbajtja e ankandeve të letrave me vlerë, pjesëmarrësit në tregun primar dhe sekondar të letrave me vlerë, instrumentet e tregut të letrave me vlerë dhe rëndësia e zhvillimit të tregut të këtyre të fundit.

 

 

 

Të ngjashme