Ali Halimi, këshilltar në Kuvendin Komunal të Ferizajt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pas 8 vjetësh karrierë i ka dhënë fund të gjitha funksioneve në këtë subjekt politik. Ai edhe zyrtarisht i është bashkuar subjektit në bashkëqeverisje me komunën e Ferizajt, Nisma Socialdemokrate.
Një ditë më parë Halimi ishte i vetmi këshilltar në cilësinë e shefit të Grupit të Vetëvendosjes i cili e bëri shumicën në KK të Ferizajt në mënyrë që të kalojë propozim-vendimin për marrëveshjen e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimin dy palesh në mes Komunës së Ferizajt dhe Caritas Kosovës e cila ka për qëllim rikthimin e projektit “Ngritja e përkujdesit social-shëndetësor, shtëpiak dhe ambulantor në Komunën e Ferizajt”.
Halimi, ka thënë për Kohën Ditore se çfarëdo që flet për Vetëvendosjen i bije që flet për vetveten derisa prej 8 vjetësh ishte i inkuadruar në strukturat e kësaj partie, madje nëpërmjet saj disa vjet më parë ishte edhe nënkryetar i komunës së Shtërpcës.
“Nuk e kam ndërruar partinë për ndonjë arsyeje që mund ta akuzoj Vetëvendosjen sepse unë kam arritur deri këtu me këtë subjekt. Ndërkaq në subjektin Nisma Socialdemokrate ndihem më mirë sepse të gjithë përfaqësuesit e këtij subjekti janë njerëz të cilët kanë kontribuar për vendin së bashku me prindin tim. Prandaj unë kam një privilegj të veçantë dhe po vazhdoj një rrugëtim të lënë në gjysmë nga familja ime”, ka thënë Halimi.
Ndërkaq, Fatmir Limaj, kryetar i Nisma Socialdemokrate në një konferencë për media ka thënë se ky subjekt do të jetë edhe më i fuqishëm në Ferizaj.
“Nga sot pjesë e familjes sonë politike do të bëhet shefi i asamblistëve të VV-së në Ferizaj, Ali Halimi me bashkëpunëtorë. Nisma në Ferizaj do të jetë shumë më e fuqishme. I urojmë mirëseardhje asamblistit dhe i ofrojmë bashkëpunim me Nismën në Ferizaj dhe Kosovë”, ka thënë kryetari Limaj.