Të zhgënjyer me futbollistët, tifozët e futbollit të Brazilit që po kërkojnë heronj, po kthehen nga Marta dhe bashkëlojtaret e saj, që aktualisht po luajnë në Kampionatin Botëror të femrave “Franca 2019”.
Ndërkohë që tifozët vërshëllyen ekipin e meshkujve nga tribunat pas ndeshjes së fundit në “Copa America” kundër Venezuelës, që përfundoi pa gola në Salvador, shikuesit brazilianë nëpërmjet televizorit janë mahnitur nga fitorja e ekipit të femrave ndaj Italisë (1:0) që u luajt në Valenciennes, në kuadër të fazës së grupeve të botërorit, shkruan sot Koha Ditore.
“Të paktën, futbollistet tona nuk simulojnë dhe nuk rrotullohen nëpër fushë sikur që bënte Neymari”, tha Wellington Dias, i cili thotë se tash është tifoz i flaktë i ekipit të femrave.
Ekipi i meshkujve të Brazilit ka zhgënjyer në dy botërorët e fundit (2014, 2018), kurse në “Copa America” që po mbahet në këtë shtet, nuk ka arritur t’i mbushë stadiumet. Në duelin e fundit, të përzgjedhurit e seleksionuesit Tite u vërshëllyen dhe u fyen gjatë tërë kohës në duelin kundër Venezuelës, një kundërshtar i dobët. Për dallim prej meshkujve, femrat janë të vendosura që t’i shkojnë deri në fund botërorit dhe të gëzojnë tifozët në vendlindje. Me fitoren e fundit, ato kanë avancuar nga faza e grupeve dhe në plejof do të përballen me Francën, ndeshje kjo që luhet të dielën mbrëma.