Bregu: Marrëveshja për uljen e tarifave të roamingut BE-BP, evropianizim i Ballkanit

Prishtinë | 06 Dhj 2022 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Në Tiranë, operatorët e telekomunikacionit nga Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjen që mundëson uljen e çmimeve të roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2023.

Kjo u bë në praninë e të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian, si dhe sekretares së Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu.

Sekretarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, duke përshëndetur marrëveshjen, ka thënë se kjo do të ishte e pamundur pa punën e madhe të RCC.

“Kjo është dita e shumë pritur. Jam shumë e lumtur që sot kemi filluar me lajmin e madh që çmimet e roamingut do të ulen për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor në territorin e Bashkimit Evropian. Kjo nuk do të ishte e mundur pa punën e madhe të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. Nga 1 tetori, të gjithë operatorët telefonik që sot kanë nënshkruar marrëveshjen, do të konsiderojnë uljen e çmimeve të tarifave të roamingut. Evropianizimi i Ballkanit Perëndimor zhvillohet kështu. Nuk kemi nevojë të presim anëtarësimin në BE, për të qenë pjesë e BE-së”, ka thënë sekretarja e RCC, Majlinda Bregu.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka thënë se kjo marrëveshje e afron Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian.

“Zgjerimi i tarifave të roamingut në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ka dy përfitime themelore. Redukton frakturën digjitale mes evropianëve, në të dy anët e Adriatikut. Dhe nga ana tjetër, komplimenton aspektet më kyqe të ndërlidhjes – shoqërore dhe njerëzove, por edhe politikave dhe shkëmbimeve ekonomike mes BE-së dhe Ballkanit. Kjo marrëveshje e integron rajonin tonë në të drejtat dhe liritë themelore të BE-së, shoqërore, njerëzore dhe ekonomike. Nuk do të ishim këtu pa Komisionin Evropian dhe Këshillin për Bashkëpunim Rajonal”, ka thënë Belinda Balluku.

Komisioneri Europian, Oliver Varheley ka përshëndetur arritjen e kësaj marrëveshje, nga e cila ka thënë se do të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor.

“Jam i lumtur që po shohim tranzicionin digjital në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor duke u përafruar. Duke i bërë shërbimet telefonike të qasshme për të gjithë, kudo në Evropë, po ndihmohen qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Qytetarët dhe bizneset e Ballkanit do të përfitojnë shumë nga ulja e çmimeve të roamingut dhe do të rrisin komunikimin e tyre në të gjithë Evropën”.

Që prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Rajonale të Roaming-ut në Ballkanin Perëndimor, duke mundësuar në rajonin tonë roaming me tarifa 0 që nga korriku 2021, RCC ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Europian, Bashkimin Europian dhe operatorët e Ballkanit Perëndimor, si dhe autoritetet në rajon, për reduktimin e roaming-ut edhe mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Roaming Free në Ballkanin Perëndimor prezanton disa ndryshime të rëndësishme.

Sipas statistikave nga draft raporti i trafikut të të dhënave në roaming, numri i përdoruesve të roaming në rajon është rritur me 100%. Kur krahasojmë gjysmën e dytë të vitit 2021 me gjysmën e parë të të njëjtit vit, numri i minutave të kryera në thirrjet zanore dalëse u rritën deri në 237%, ndërsa thirrjet zanore hyrëse u rritën deri në 173%.

Në të njëjtën kohë, vëllimi i trafikut të të dhënave u rrit deri në 459%. Këto janë shifra të jashtëzakonshme që shkojnë në favor jo vetëm të bashkëpunimit rajonal në tërësi, por flasin shumë edhe për një klimë më të mirë në të gjithë rajonin. Për sa i përket perspektivës ekonomike, sipas raportit të Bankës Botërore, rajoni vlerësohet të regjistrojë një rritje ekonomike prej 3.4% këtë vit.

Prandaj, ulja e tarifave të roaming ndërmjet BE-së dhe rajonit tonë do të jetë një arritje e rëndësishme po të merret parasysh fluksi tashmë i lartë i udhëtimeve turistike nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve te BE-së dhe anasjelltas, veçanërisht duke pasur parasysh komunitetet e rëndësishme të diasporës.

Përfitimet janë të shumta. Do të kursente para për qytetarët e të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe BE, si dhe do të ulte kostot e funksionimit të biznesit; do të inkurajonte të bërit biznes jashtë kufijve të tyre, por gjithashtu do t’i jepte një shtysë edhe më të madhe turizmit tonë.

Të ngjashme