Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka marrë pjesë në fillimin e asfaltimit të rrugëve në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori, Basri Sejdiu, thotë se infrastruktura rrugore është shumë e rëndësishme.
“Është ditë kur kanë fillu punimet, do të thotë të shtrohen të gjitha rrugët të Qendrës Klinike Universitare të bëhen të asfaltuara. Është kontribut i madh i krijimit të një infrastrukture më të mirë. Është shenjë që edhe kjo Qeveri në të gjitha format përkrahë dhe ka prioritet shëndetësinë dhe me këtë ndihmesë që po iu bëhet QKUK do të kompletojë përgjegjshmërinë e palëve sepse dihet që këtë e frekuentojnë pacientët,” është shprehur Sejdiu.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka cilësuar si moment “të prekshëm”, raporton EkonomiaOnline.
“Për mu është moment i prekshëm meqë kam filluar dijeninë e parë në profesionin si mjek, dhe jam i lumtur që sot mu dha rasti ta frekuentoj këtë vend, që është diçka e vogël, por që ka ndikim të madh tek pacientët, që e frekuentojnë këtë vend, mijëra nga ta. Do jemi të saktë në fillimin e ndërtimeve si sot, por edhe në mbarimin dhe standardet çfarë i kërkon ky lokacion, sepse për mu është vend i shenjtë dhe mjekët janë të shenjtë por edhe personeli dhe sidomos pacientët që ne duhet të kujdesemi. Për mua mbret i kësaj është pacienti,” është shprehur Lekaj.
Ministri Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë se asfaltimi i rrugëve në QKUK rritë cilësinë dhe kualitetin e udhëtimit të pacientëve.
“Siç e shihni kemi dy ministri që bashkëpunojmë me një qëllim që ta përmirësojmë shëndetësinë në Kosovë, ta përmirësojmë mundësinë që pacienti të ketë komoditet më të lartë, por edhe vetë personeli të ketë komoditet më të lartë. Punën që e kemi besojmë se do ta përfundojmë brenda 15 ditëve të ardhshme. Pra, do kemi asfaltim të të gjitha rrugëve të QKUK duke e ngritur cilësinë, kualitetin e udhëtimit të pacientëve. Kemi pasë problem edhe me vetura që janë parkuar keq. Duke krijuar një infrastrukturë të mirë arrijmë që t’i evitojmë problemet që i kanë pasë pacientët gjatë çdo kohe, ashtu edhe personeli,” deklaron ministri Ismaili.
Asfaltimi i rrugëve në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës do të kushtojë 180 mijë euro dhe tërë gjatësia e këtyre rrugëve brenda është 2.4 km.