Britanikët nuk dëshirojnë të përfshihen në hetime për rastin Dehari

Prishtinë | 22 Nën 2016 | 17:25 | Nga

Përfshirja e policisë britanike ‘Scotland Yard’ në hetimet për vdekjen e aktivistit të dyshuar për terrorizëm Astrit Dehari, tre javë më parë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, po shihet e papërshtatshme për Ambasadën Britanike në Prishtinë. Në një përgjigje për Gazetën Express, Zyra për Media e Ambasadës Britanike thekson se rasti nuk ka lidhje direkte me Mbretërinë e Bashkuar.

Kërkesa e Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, për hetim të rastit Dehari nga hetuesit e policisë britanike ‘Scotland Yard’ po hasë edhe në një pengesë tjetër. Përveç, familjes së aktivistit të vdekur të VV’së, Astrit Dehari, e cila nuk po pranon hetim ndërkombëtarë për humbjen e jetës së djalit të tyre në një qendër paraburgosese, edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë po e konsideron si të papërshtatshme përfshirjen e kësaj hetuesie në hetim.

Zyra për media e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ka konfirmuar për Gazetën Express se kanë shqyrtuar “me kujdes” kërkesën e Ministres Hoxha, dhe tashmë kanë një përgjigje.

“Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e rrethanave të vdekjes tragjike të Z. Deharit. Çdo vdekje në paraburgim meriton hetim të kujdesshëm. Andaj, duke marrë parasysh që ky rast nuk ka lidhje direkte me Britaninë, do të ishte e papërshtatshme të përfshihet policia britanike”, thuhet në përgjigjen, me email, të Ambsades Britanike në Kosovë.

“Është e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të marrin përgjegjësinë dhe të kryejnë çdo hetim ose të shqyrtojnë rastin tërësisht dhe në mënyrë të paanshme, dhe gjithashtu të sigurojnë transparencë për familjen dhe publikun”, thotë tutje ambasada në përgjigjen e tyre për Gazetën Express, përmes zëdhënës Merita Salihu-Munipi.

Kundër kërkesës në fjalë të Ministër së Drejtësisë kanë dalë edhe familja e aktivistit që vdiq në paraburgim, në Prizren, si një nga 6 të dyshuarit që u arrestuan në fund të verës së këtij viti, si të dyshuar për sulmin e 4 Gushtit ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës. Familja Dehari, edhe pse nga fillimi ka insistuar që vdekja e djalit të tyre, tashmë e konsideruar zyrtarisht vetëvrasje nga raporti i autopsisë së autoriteteve kosovare, të hetohet nga të huajt, duke treguar mungesë besimi ndaj organeve rëndese në vend, nuk e kanë pranuar një hetim të tillë. Sipas tyre, jo pa u dorëhequr Ministrja Hoxha dhe kolegu u saj nga Ministria e Brendshme, Skender Hyeseni.

Gazeta Express ka provuar të marrë qëndrim edhe nga Ministria e Drejtësisë, duke kontaktuar kabinetin e saj, por edhe vetë ministren Dhurata Hoxha-Sadiku, por ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje, në asnjërën formë – as përmes postes elektronike apo thirrjeve në telefon.

Të ngjashme