Britaniku 100 vjeçar agjëron dhe mbledh mbi 60 mijë funte për të prekurit nga virusi

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Një burrë 100-vjeçar nga Britania e Madhe ka arritur të grumbullojë më shumë se 60,000 funte për personat e prekur nga Coronavirusi duke i vënë synim vetes për t’i bërë 100 xhiro rreth oborrit përderisa është duke agjëruar.

Dabirul Islam Choudhury nga St Albans fillimisht ishte frymëzuar që t’i mblidhte vetëm një mijë funte për personat e rrezikuar në Britani të Madhe dhe Bangladesh pasi kishte parë se veterani i luftës, Tom Moore, kishte arritur t’i mblidhte 32 milionë funte për institucionet shëndetësore.

Plaku njëqindvjeçar e arriti synimin e tij vetëm disa orë pas fillimit të fushatës më 26 mars dhe do të vazhdojë të mbledhë të holla për bamirësi deri në fund të Ramazanit.

Ai është lindur më 1 janar 1920 në Asamin Britanik, në Bangladeshin e sotëm, por kishte shkuar në Londër për ta studiuar letërsinë angleze në vitin 1957.

Burri që është duke qëndruar në izolim qe dy muaj është bërë njëri prej personave më të respektuar në komunitetin e qytetit St Albans, shkruan “Metro UK”.

Djali i tij, Atique Choudhury, tha se plaku nuk është duke shfaqur shenja se do të ndalet. “Kur e filluam fushatën, e nisëm me një ritëm të vogël, por ai e ka shtuar numrin e xhirove. Problemi është se ne jemi detyruar që të provojmë për ta ndaluar, sepse ai dëshiron të vazhdojë kështu”, tha ai.

Të ngjashme