Brnabiq: Marrëveshja e romingut mes vendeve të Ballkanit në rrezik për shkak të taksës

Prishtinë | 28 Shk 2019 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka thënë se taksa ndaj mallrave serbe e vendosur nga autoritetet në Prishtinë nuk ka ndikuar në tregtinë ndërmjet Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës por se i ka rrezikuar gjitha marrëveshjet rajonale të cilat janë planifikuar të nënshkruhen.

Kryeministrja Brnabiq, me këtë rast potencoi marrëveshjen për romingun e cila ishte planifikuar të nënshkruhet nga gjashtë vendet e Ballkanit në Samitin e dytë digjital në Beograd.

“Si të nënshkruhen marrëveshjet e reja kur ato të vjetrat nuk respektohen” tha Brnabiq në një konferencë për media, pas takimit me kryeministrin e Bosnje Hercegovinës, Radovan Viskoviq.

Ajo përsëriti se taksa e vendosur nga Prishtina, shkel marrëveshjen e CEFTA-s.

Në prill të 2018 në samitin e parë digjital të mbajtur në Shkup ishte paralajmëruar ulja e çmimeve të romingut mes vendeve të Ballkanit.

Komisionierja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Marija Ivanova Gabriel, pati theksuar se Unioni në mënyrë intensive punon në përgatitjen e agjendës digjitale për Ballkanin Perëndimor, që është pjesë e strategjisë së të BE-së për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor.

Komisionerja pati thënë se ulja e çmimeve të romingut do të jetë një nga përpjekjet në transformimin digjital.

“Roming nuk është vetëm një domosdoshmëri, por është gjithashtu një nxitje e rëndësishme dhe e dobishme për bizneset dhe qytetarët. Unë e mirëpres iniciativën për të ulur çmimet” pati thënë komisionerja Gabriel.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme