BSH: Në Tiranë u rritën dukshëm çmimet e pronave

Prishtinë | 30 Pri 2018 | 10:02 | Nga

Banka e Shqipërisë zhvilloi një anketim me agjencitë e Pasurive të Paluajtshme në të gjithë vendin dhe vërejti se në gjysmën e dytë të vitit 2017, vëllimi i shitjeve të raportuara në zonën qendrore të Tiranës ishte shumë më i lartë se periudhat e mëparshme, ndërkohë që çmimet u rriten me 0.7% ndaj 6-mujorit të parë 2017, raportoi banka e Shqipërisë.

Për zonat bregdetare, agjentët kanë raportuar çmime mesatare 30% më të ulëta se në periudhën bazë (2013) dhe 7% më të ulëta se gjashtëmujori i kaluar. Për zonat e tjera agjentët kanë raportuar një rritje mesatare të çmimeve të shitjes me 5%, kundrejt periudhës së kaluar dhe rreth 20% më të larta se periudha bazë.

Agjentët raportojnë numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka shënuar rënie; balanca neto ishte pozitive, duke treguar më pak prona të pashitura, për herë të tretë rresht që nga koha e fillimit të vrojtimit, pavarësisht se me vlera më të moderuara në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar.

Koha mesatare e shitjes së pronave në rang vendi ishte mesatarisht 12.2 muaj ose rreth 2.3 muaj më e gjatë se në gjashtëmujorin e kaluar.

Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 8.2 muajsh. Kjo kohë shitjeje ishte më e shkurtër krahasuar me 9.5 muaj të raportuar në gjashtëmujorin e kaluar.

Për zonën e bregdetit koha e shitjes është rritur ndjeshëm nga 11.7 muaj në rreth 19.3 muaj dhe e njëjta ecuri vlen edhe për zonat e tjera; subjektet kanë raportuar rritje të qenësishme të kohës së shitjes në krahasim me periudhën paraardhëse; nga 9.7 muaj në 14 muaj.

Sipas agjentëve, rreth 80% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar, të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Kjo shifër shënon rritje të lehtë në krahasim me vlerën prej 72% të raportuar në periudhën paraardhëse.

Pjesa e çmimit të shitjes së pronës që është mbuluar me kredi (LTV) vlerësohet rreth 61%, më e ulët nga 64% në krahasim me periudhën e mëparshme. Agjentët kanë pritshmëri pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe janë ndjeshëm më optimistë për periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet).

Numri i pronave që pritet të regjistrohen për shitje gjatë periudhës në vazhdim, pritet të shënojë rënie. Agjentët presin rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme. Balanca neto ishte pozitive (9.2%), duke reflektuar optimizëm nga ana e agjentëve. Kjo balancë ka vlerë të përafërt me atë të raportuara gjatë periudhës së kaluar (11.4%)

Banka e Shqipërisë e bëri vlerësimin e situatës në tregun e pasurive të paluajtshme përmes vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 agjentë imobiliarë (që tregtojnë pasuri të paluajtshme) dhe shoqëri ndërtimi, të cilët përfaqësojnë rreth 75-80% të popullatës së këtyre subjekteve për nga madhësia e aktivitetit. Banka e Shqipërisë realizon hartimin e pyetësorit si edhe hedhjen dhe përpunimin e rezultateve, ndërkohë që Instituti i Statistikave mbulon investimin në terren, proceset kryesore të kampionimit dhe kontrollin fizik të pyetësorëve të plotësuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme