BSPK-ja bën thirrje të mos rrezikohet shteti me greva, SBAShK-u pret vendimin e anëtarësisë

Prishtinë | 21 Dhj 2019 | 08:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, iu ka bërë thirrje drejtuesve të sindikatave që kanë paralajmëruar grevë, ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Pagave. Sipas tij, sindikatat nuk do të duhej që përmes grevave ta rrezikonin sigurinë e shtetit.

Në një deklaratë për gazetën, Ajdini ka thënë se sindikalistët duhet të veprojnë me gjakftohtësi e ta respektojnë vendimin e Gjykatës. Sipas tij, nuk është koha për greva përderisa qeveria e re nuk është formuar ende, shkruan sot Koha Ditore.

“BSPK-ja nuk i mbështet sindikatat kur ato rrezikojnë sigurinë e shtetit. Mbi të gjitha është shteti, bile edhe mbi familjen. Kështu që, unë jam kundër atyre që e rrezikojnë shtetin. Kërkoj nga sindikatat që të respektohen shteti dhe Kushtetuta e të mos na vishet një epitet që sindikatat janë kundër shtetit ose po duan ta rrënojnë ekonominë. Duhet të durojmë edhe pak, kemi punuar edhe pa paga, edhe me paga më të ulëta”, ka thënë Ajdini.

Sipas tij, Ligji për Paga për disa kategori është diskriminues, por meqë tashmë ka një vendim të Gjykatës, duhet të pritet deri në një vendim tjetër apo në një korrigjim të ligjit. Ajdini ka thënë se faji për këto pakënaqësi është tek Qeveria, e cila e ka miratuar Ligjin e Pagave.

“Vetë Qeveria na ka futur në një rrugë të pakokë. Më mirë ka qenë me kohë të studiohen gjërat në thelb dhe të merret një vendim unik apo të diskutohet me të gjitha sindikatat se ku i kanë pikat e dobëta. Mendoj se në ligj do të duhej të futej që sipas ngritjeve ekonomike të ngrihen edhe pagat. Nëse kemi ngritje të ekonomisë 5 për qind, atëherë 5 për qind duhet të ngrihet paga minimale, e jo siç veprohet që për çdo vit edhe harxhojmë mjete, edhe kohë ”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se për kërkesa të anëtarëve të SBASHK-ut nuk e dëgjojnë askënd. Deklaratat e kryetarit të BSPK-së i ka quajtur të ngutshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme