Gianluigi Buffon nuk i kupton më shifrat që po qarkullojnë në tregun e transferimeve në futboll. Duke iu referuar spekulimeve për kalimin e sulmuesit Neymar te PSG-ja për 222 milionë euro, portieri legjendar i Juventusit është shprehur se kjo gjendje nuk ka kuptim.
“Gjithçka duket false. Pse Neymar vlen 220 milionë euro dhe jo 600 milionë? Gjyshi im gjithnjë thoshte: ‘Fryj, fryj, por tollumbacja gjithmonë do të shpërthejë’. Nuk i kuptoj më parametrat për vlerësimin e një lojtari. Gjithçka është sipas rrymës dhe në duart e njerëzve të cilët kanë më shumë para. Pra, sot është 10, por nesër është 100”, – ka thënë kampioni i Italisë për të përditshmen “La Gazzetta dello Sport”.
Veterani i “Zonjës së vjetër”, ndërkohë, ka pranuar se në sezonin e ri skuadra e tij do të sfidohet nga Milani, atje ku janë futur duart thellë në xhepa për blerjen e lojtarëve me klas. “Mendoj se ata do të jenë konkurrentë, sepse kanë shpenzuar shumë”.