Në letër, Bullgaria qëndron dukshëm para Kosovës. Në short për kualifikimet për “Euro 2020”, Bullgaria ishte në vazon e tretë, ndërsa Kosova në të pestën. Edhe në ranglistën e FIFA-s, Bullgaria qëndron dukshëm para Kosovës.
Por te kundërshtari i parë i Kosovës në kualifikimet për Evropianin e ardhshëm nuk i shohin “dardanët” më poshtë se përfaqësueset e tjera të Grupit A kualifikues, shkruan Koha Ditore.
Bullgaria, të hënën, ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2020”. Bullgaria të premten e pret Malin e Zi, ndërsa të hënën e ardhshme (25 mars) luan ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në Grupin A bëjnë pjesë edhe Anglia, Çekia e Mali i Zi. Kosova luan të enjten miqësore ndaj Danimarkës dhe hap kualifikimet vetëm të hënën tjetër. Të premten pos ndeshjes Bullgaria – Mali i Zi luhet edhe ndeshja Anglia – Çekia.