Një lajm që sot ka qarkulluar gjithë ditën nga mediat spanjolle, tregonte se kryeministri spanjoll Rajoy, nuk kishte pranuar ta nënshkruante një tekst që do të publikohej në Samitin e Sofjes.
Kjo për shkak të qëndrimeve të Spanjës në lidhje me Kosovën. Por këto informacione i ka demantuar Bullgaria zyrtare.
Përfaqësuesja e përhershme e Bullgarisë në Bashkimin Evropian, Genoveva Cerevenak ka thënë se projekt-deklarata është nënshkruar nga të gjitha 28 vendet anëtare të BE-së përfshirë edhe Spanjën.
“Drafti i deklaratës është miratuar edhe nga ambasadori i Spanjës në BE. Shteteve anëtare u takon ta pranojnë”, ka thënë për Tanjug Cervenak, transmeton lajmi.net
Ishte gazeta spanjolle El Pais që kishte raportuar se Spanja do të vinte veto mbi këtë dokument.
Por përfaqësuesja bullgare ka thënë se tashmë deklarata është dërguar për konsultim, te vendet e Ballkanit Perëndimor, por të njëjtat nuk do të kenë nevojë ta nëshkruajnë.
“Ambasadorët e miratuan draftin e deklaratës. Teksti tashmë është dërguar në vendet e Ballkanit Perëndimor për konsultime”, tha ajo.
Projekt-deklarata raportohet se u miratua të enjten e kaluar në Bruksel.
Sipas burimeve të Tanjug në këtë draft nuk përmendet “shtetet e Ballkanit Perëndimor”, duke bërë kompromis me vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Pjesa e parë e deklaratës sipas agjencisë serbe i referohet si “mbështetja e perpektivës evropiane për rajonin”.
“Ka tri pjesë të deklaratës, e para për sundimin e ligjit, e dyta për migrimin dhe luftën kundër terrorizmit, dhe e treta që është më e rëndësishme për infrastrukturë e energji”, thanë zyrtarë bullgarë.
Burimet gjithashtu kanë treguar se nuk është e sigurt nëse kryeministri spanjoll do të marrë pjesë në këtë samit. /Lajmi.net