Bulgaria është kërcënuar të premten me bllokimin e shtegut evropian të Maqedonisë së Veriut, po qe se vendi nuk pranon se si identiteti i saj kombëtar ashtu edhe gjuha, kanë rrënjë bullgare, ka njoftuar ministria e Jashtme.
Ministrja e Jashtme, Ekaretina Zaharieva, ka thënë se Bullgaria, e cila gjatë presidencës së saj të parë rotative në Bashkimin Evropian më 2018 ishte përqendruar në çështjen e pranimit të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun 27-anëtarësh, mund të përdorë të drejtën e saj të vetos për nisjen formale të bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë Veriore muajin e ardhshëm, në rast se dy palët nuk arrijnë t’i zgjidhin mospajtimet, transmeton KOHA, shkrimin e Reuters.
Veprimi përbën një tjetër sfidë për Shkupin, i cili ishte dakorduar që ta ndryshonte emrin zyrtar me qëllim të tejkalimit të mospajtimeve disadekadëshe me Greqinë dhe hapjen e shtegut drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO. Me emrin Maqedonia e Veriut, vendi është bërë në fillim të këtij viti anëtar zyrtar i NATO-s.
Bullgaria është duke e humbur durimin lidhur me atë që e konsideron si hezimit të Maqedonisë Veriore për ta vënë në zbatim traktatin e miqësisë që dy shtetet kishin nënshkruar më 2017. Si rrugëdalje ka propozuar mbështetjen e fillimit të negociatave të anëtarësimit në rast se Shkupi pranon se identiteti dhe gjuha e saj kanë bazë bullgare, si dhe të heqë dorë nga pretendimi se ekziston një pakicë e lashtë “maqedonase” në Bullgari.
“Shqetësimet tona burojnë nga pretendimet që nuk rreshtën kurrë rreth një pakice maqedonase në Bullgari. Pranimi i rrënjëve bullgare do t’i jepte fund gjithë kësaj”, ka thënë Zaharieva për Reutersin.
Në rast se Maqedonia Veriore e pranon një gjë të tillë, Zaharieva ka thënë se Sofja është e gatshme që ta pranojë maqedonishten si njërën prej gjuhëve zyrtare të fqinjit të saj dhe ta pranojë identitetin maqedonas.
“Nuk po e kontestojmë të drejtën e tyre për vetëvendosje, e as të drejtën e tyre për ta quajtur gjuhën e tyre ashtu si duan. Jemi të gatshëm që t’i rikonfirmojmë realtetet aktuale, por ata duhet t’i pranojnë të vërtetat historike”, ka thënë ajo.
Sofja konsideron se ideja e një kombi dhe gjuhe maqedonase është kalitur në ish-Jugosllavinë e fundviteve 40’ dhe se para viteve 20’ shumica e banorëve në këtë rajon e konsideronin veten bullgarë. Dy vendet kanë zhvilluar bisedime gjatë dy javëve të shkuara, në përpjekje për kapërcimin e dallimeve në prag të takimit të BE-së më 10 nëntor lidhur me çështjen, por diskutimet nuk kanë gjeneruar sukses të mjaftueshëm.