Komisioni Shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror të hënën do të prezantojë para Qeverisë së Kosovës, të gjeturat e reja lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Edhe në Qeverinë e Kosovës, zyrtarët kanë deklaruar se kryesuesi i Komisionit Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, Shpejtim Bulliqi, ka konfirmuar përfundimin e punës në lidhje me demarkacionin.
Kryesuesi i komisionit, Shpejtim Bulliqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se raporti të hënën do të dorëzohet në Qeveri, por nuk ka dashur të flasë për të gjeturat e reja, pasi që, siç është shprehur ai, ato do të prezantohen në Qeveri fillimisht.
“Do t’i paraqesim ato fakte që kemi arritur t’i sigurojmë për këtë periudhë dhe më tutje do të mbetet në dorën e Qeverise se si do të procedojë tutje”, ka deklaruar Bulliqi.
Ai ka thënë se puna në komision është bërë me përkushtimin më të madh dhe se janë konsultuar shumë dokumente.
“Ne kemi marrë një detyrë nga kryeministri i vendit, e kemi kryer atë punë me ndërgjegjen më të lartë brenda mundësive dhe hapësirës që na është krijuar për punë. Se si do vazhdohet tutje dhe sa do të merren për bazë [të gjeturat] nga institucionet e vendit, kjo nuk është në anën time që ta them… le të shohim veprimet pas prezantimit të fakteve”, është shprehur Bulliqi.
Kurse, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, një ditë më parë tha se Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk mund të votojë të gjetura të caktuara për kufirin, të cilat janë të bazuara në kutet e, siç ka thënë ai, Shpejtim Bulliqit, apo edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Natyrisht se ne nuk do të votojmë çdo të gjetur, por do të votojmë çdo marrëveshje shtetërore që bëhet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Asnjë gjetje të njëanshme nuk e voton Lidhja Demokratike, por vetëm ato që janë të vërteta dhe që ndërlidhen me marrëveshje shtetërore, sepse nuk është kjo marrëveshje e njëanshme e dyanshme. Kufiri nuk mund të vihet në mënyrë të njëanshme”, deklaroi Mustafa.
Kryesuesi i komisionit, Shpejtim Bulliqi, ka theksuar se raporti, të cilin e kanë përgatitur anëtarët e komisionit, nuk është bërë as për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe as për ndonjë subjekt tjetër politik, por ai raport, sipas Bulliqit, është bërë për institucionet e vendit.
Bulliqi nuk ka folur as për atë se sa mund të ketë sukses raporti i komisionit, por ka thënë se krejt kjo varet se si do të kuptohet nga institucionet.
“Varet nga institucionet e vendit se si do t’i marrin këto faktet. Nëse e ke pasur kontrollin efektiv në një element dhe bëhet me dije se e ke kontrolluar deri në një moment të caktuar, nuk e di se si do të heq dorë nga disa çështje që i ka menaxhuar vetë dhe i ka pasur në kontroll të vetin”, ka shtuar Bulliqi.
Pritjet janë që Qeveria e Kosovës bashkë me raportin e Komisionit, ta procedojnë edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin në Kuvend, në mënyrë që ky institucion të marrë vendim, nëse do ta ratifikojë apo anulojë këtë marrëveshje.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritetet e Prishtinës dhe Podgoricës, në fund të gushtit të vitit 2015, në Vjenë.
Pas ardhjes në krye të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në legjislaturën e kaluar kishte kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, ka shkarkuar përbërjen e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror që drejtohej nga Murat Meha, duke emëruar përbërje të re me në krye Shpëtim Bulliqin./REL