Burdushi s’shkon në vuajtje të dënimit, mbrojtja paraqiti ankesë në Apel ndaj refuzimit të kërkesës për shtyrje të vuajtjes së dënimit

Prishtinë | 18 Sht 2023 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtja e Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia kishte refuzuar kërkesën të njëjtit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për vuajtjen e burgimit prej 4 vjet e 6 muaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Peqani, avokati Fehim Alaj ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi”, se i mbrojturi i tij, Peqani nuk ka shkuar në vuajtjen e dënimit sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, me arsyetimin se kanë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe vendimi është i ekzekutueshëm pas vendimit të Apelit.

Ndryshe, urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte urdhëruar “Burdushin” që më 18 shtator 2023, deri në orën 12 të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.

Në këtë urdhëresë, thuhet se nëse i dënuari nuk vepron sipas urdhëresës, përkatësisht nëse në ditën e caktuar nuk paraqitet në Institucionin për mbajtjen e dënimit, gjykata do të lëshojë urdhëresë për ndalim dhe dërgim me forcë për mbajtjen e vuajtjes së dënimit.

Ndryshe, Betimi për Drejtësi ka komunikuar edhe me zyrtarin e lartë për komunikim për publikun për shërbimin korrektues të Kosovës, Florent Gashi, i cili ka thënë se do të intersohet që të marrë informacion nëse “Burdushi”, është paraqitur në qendërn e paraburgimit në Prishtinë sot deri në ora 12:00. Mirëpo më pas i njëjti ka qenë i paqashëm.

Mbrojtja e Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, kishte kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg për 6 deri në 12 muaj.

Hysri Peqani më 10 janar 2023 ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, 42 mijë euro gjobë dhe ishte urdhëruar konfiskimi i pasurisë në vlerë mbi 2 milionë euro.

Këtë vendim, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar më 5 qershor 2023 për veprat penale: “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Mashtrim”, “Shpëlarje parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Procesi gjyqësor ndaj Burdushit ka zgjatur 2 vjet e 2 muaj, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 15 shtator 2020.

Në çështjen penale ndaj tij ishin dëgjuar një sërë dëshmitarësh, dëshmitë e të cilëve ishin ndaluar të publikoheshin deri në përfundimin e gjykimit.

Të ngjashme