Bushati: Opozita ka frikë nga e vërteta dhe institucionet

Prishtinë | 01 Tet 2018 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati i është përgjigjur akuzave të opozitës duke thënë se vendi ka një opozitë që ka frikë nga e vërteta dhe institucionet. Në Shkodër, gjatë një aktiviteti në ditën e të Moshuarve Bushati inkurajoi institucionet në luftën kundër krimit.

“Kam përshtypjen që nga gënjeshtarët patologjikë është shumë e vështirë për të pritur të vërteta. Më vjen keq që vendi ka këtë opozitë, e cila ka frikë nga e vërteta, ka frikë nga institucionet, ka frikë nga Komisioni i Venecias, dhe ndoshta është e vetmja opozitë në Europë dhe në botë që ka frikë nga Komisioni i Venecias”.
“Por nga ana tjetër besoj se duhet të tregohemi të gjithë të duruar me opozitën që ka humbur besimin te vota, besimin tek koncepti alternativ ndaj qeverisë dhe për sa kohë e ka humbur këtë besim nuk është se do të presim ditë më të mira në këtë drejtim. Thjesht shpreh keqardhjen time më të madhe për nivelin e debatit për shpifjet që tentojnë të helmojnë hapësirën publike. Nga ana tjetër dua ti bëj thirrje të gjithë institucioneve të shtetit të së drejtës të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit dhe kundër korrupsionit. Shpresoj që dhe opozita të bëj të njëjtën gjë”, tha ai.

Detyrat tona janë të qarta, tha Bushati për sa i përket integrimit të vendit, duke thënë se reformat do të krijojnë impakt pozitiv përsa i përket ecurisë së procesit.

“Situata politike natyrisht e bazuar mbi trillim edhe shpifje, duke përfshirë dhe Shkodrën nuk është një atmosferë që mund të krijojë terrenin e përshtatshëm për të ecur më shpejt në procesin e integrimit evropian. Nga ana tjetër më duhet të them që reformat që ju i referoheni janë më tepër kërkesë e vetë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, se sa e komunitetit ndërkombëtar. Detyrat tona janë të qarta”.

“Duhet të vazhdojmë të luftojmë pa kompromis krimin e organizuar, duhet të intensifikojmë luftën kundër korrupsionit, duhet të vazhdojmë me shpejtësi procesin kirurgjikal që ka nisur në Pallatin e Drejtësisë, dhe kësisoj këto reforma jemi të bindur që do të krijojnë dhe një impakt pozitiv për sa i përket dhe ecurisë së vendit në procesin e integrimit evropian. Procesi “screening” filloi javën që shkoi. Në ditët e para të tetorit do të ketë një seancë dhe më të posaçme me shërbimet e Komisionit Evropian në Tiranë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme