Buxheti për vitin 2017 rritet në 2 miliardë euro

Prishtinë | 30 Sht 2016 | 12:13 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova për vitin 2017 do të ketë buxhetin 2 miliardë euro. Për vitin 2016 buxheti ka qenë rreth 1 miliard e 600 milionë euro.

Kështu tha ministri i Financave, Avdullah Hoti, sot në dëgjimin publik të organizuar nga Ministria e Financave për projekt-buxhetin e vitit 2017.

Në këtë diskutim publik që organizohet për herë të parë për buxhet, po marrin pjesë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, të shoqërisë civile si dhe palë të tjera të interesit.

Ministri Hoti tha se nga rritja e buxhetit do të ketë 50 për qind rritje të investimeve kapitale dhe 5 për qind për shpenzime.

Ai tha se janë në proces të finalizimit të buxhetit që deri në fund të muajit tetor të shkojë në Qeveri për miratim.

Ministria e Financave mban diskutim publik me palët e interesit për Buxhetin 2017

Për herë të parë në historinë e planifikimit të Buxhetit, Ministria e Financave ka mbajtur sot diskutim publik me të gjitha palët e interesit për Buxhetin 2017.

Ministri Avdullah Hoti në hyrje të këtij diskutimi publik tha se është hera e parë që Ministria e Financave organizon diskutim publik të hapur me analistë, me institucione akademike, me OJQ dhe palët tjera të interesit për ti involvuar të gjitha këto palë të interesit në përgatitjen e Buxhetit për vitin 2017.  “Ne jemi në proces të finalizimit të Buxhetit për vitin 2017, dhe sipas procedurave duhet ta dorëzojmë në Qeveri deri në fund të këtij muaji. Përpara se ta finalizojmë ne dëshirojmë që të marrim opinionet, vlerësimet edhe të palëve të interesit që janë të prekura nga Buxheti i vitit 2017”.

“Ne kemi mbajtur dëgjime buxhetore gjerësisht me të gjitha organizatat buxhetore nga muaji gusht  dhe shtator të udhëhequra nga zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi dhe kemi ardhur tek disa ide të përafërta tek një Kornizë e përgjithshme për Buxhetin 2017, të cilën sot dëshirojmë ta ndajmë dhe pastaj të dëgjojmë, vetëm të dëgjojmë nga ju se çfarë propozime keni ju për shpërndarjen që duhet të bëhet në Buxhetin e shtetit për vitin 2017 dhe planifikimet e përafërta për 2018 – 2019”, shtoi Ministri Hoti.

Ai theksoi se Buxheti i vitit 2017 është ndërtuar në bazë të disa parimeve ” Besoj të gjithë pajtohemi  që Buxheti i shtetit duhet të jetë një Buxhet i realizueshëm, pra me parashikim të të hyrave që janë të realizueshme, që është konsistent, në ndërlidhje ndërmjet sektorëve, pra një Buxhet i qëndrueshëm, një Buxhet që ruan stabilitetin fiskal, që respekton kufizimet ligjore që kemi ne, sa i përket edhe deficitit buxhetor, edhe raportit mes shpenzimeve koherente dhe shpenzimeve kapitale, por edhe mirëmbajtjes së një borxhi publik që është i përballueshëm për vendin, jo vetëm gjatë mandatit të kësaj Qeverie por në periudha afatgjate. Një buxhet që siguron barazi në shpërndarje, pra që të gjithë përfitojnë njësojë, një barrë fiskale që shpërndahet gjerësisht dhe që arrihen objektivat sociale përmes shpërndarjes së kësaj barre fiskale. Një buxhet që adreson nevojat elementare të shtetit që i kemi përveç nevojave zhvillimore, por edhe një buxhet që neve na mundëson kryerjen e obligimeve ndërkombëtare që ka shteti i Kosovës karshi përmbushjes së kërkesave për integrim në Bashkësinë Evropiane, karshi kërkesave që kemi për integrim të Kosovës, për integrim të Ushtrisë  së ardhshme të Kosovës në NATO, karshi kërkesave për anëtarësim të Kosovës që është kryer deri më tash dhe ato që planifikohen në struktura ndërkombëtare qofshin ato të sigurisë, të sportit, kulturës, të marrëdhënieve tregtare ose të strukturave të tjera.”

“Prandaj, qëllimi i këtij takimi është që ne të prezantojmë para juve një Kornizë të përgjithshme të Buxhetit për vitin 2017, dhe me të dëgjuar prej juve propozimet që keni për shpërndarjen më adekuate të këtij Buxheti në përputhje me këto parime, unë u mundova ti specifikoj”, shtoi Hoti.

Ministri i Financave theksoi se Buxheti për vitin 2017 do të jetë 2 miliardë euro që është një kapërcim signifikant krahasuar me vitin 2016 dhe shumë më i madh në krahasim me vitin 2014 dhe vitin 2015. Rritja kaq e madhe e Buxhetit shkon kryesisht për investime kapitale, jo për shpenzime koherente ose për shpenzime të tjera. Nëse e shohim në strukturë krahasuar me këtë vit, pra me vitin 2016 gjatë vitit të ardhshëm ne investimet kapitale do ti rrisim për 51 %, ndërkaq shpenzimet rrjedhëse rriten vetëm me 5 % më shumë se sa që i kemi pasur gjatë vitit 2016.

“Pra vazhdon politika e kursimeve, duke adresuar nevojat më elementare që i kemi nëpër skema të ndryshme dhe nëpër programe të ndryshme, por duke qenë fokusi plotësisht tek investimet kapitale. Në përpilimin e këtij Buxheti ne i kemi marrë parasysh ato parime që i thashë në fillim dhe programin qeverisës, i cili e definon këtë Qeveri, Qeverinë Mustafa  si Qeveri të djathtë. Pra nënkupton një Qeveri që i mban poshtë taksat, pjesëmarrjen e taksave në GDP dhe të shpenzimeve totale në GDP”.

“Me këtë Buxhet ne e mbajnë pjesëmarrjen e të hyrave totale në BPV në 27 % dhe i mbajmë shpenzimet totale në BPV në rreth 30%”.

“Ne gjithashtu me këtë Buxhet mbajmë Borxhin Publik prej 14 % deri në 15 % të GDP-së, varësisht prej vlerësimeve që kemi të GDP-së për vitin e ardhshëm, varësisht prej normave që arrijmë dhe progresin që bëjmë në disbursimin e mjeteve të ndryshme nga marrëveshjet financiare ndërkombëtare.  Kemi diskutuar gjerësisht me Organizata Buxhetore në shpërndarjen e kësaj shume tek investimet kapitale për tu siguruar që këto investime kapitale shkojnë në ato projekte që kanë efekt multiplikues më të madh në ekonomi”, tha Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se është siguruar financimi i plotë për projektet që janë në vijim, sepse sipas tij projektet e Qeverisë tek investimet kapitale zgjasin së paku 2 vite, dhe tash me këtë Buxhet ne i përmbyllim të gjitha obligimet e Kosovës në vitin 2017.

“Do të arrijmë të servisojmë rregullisht Borxhin që e kemi pa ndonjë vështirësi dhe të mbajmë deficitin fiskal, dukshëm nën 2 % sa e kemi sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike. “Përveç kësaj, Buxheti i vitit 2017 neve na mundëson të adresojmë edhe disa politika të reja që i kemi me Programin qeverisës për vitin 2017 dhe tutje. Janë paraparë plotësisht kostot për fillimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore prej 17 milionë euro që i kushton sektorit publik për vitin e ardhshëm.  Është paraparë plotësisht buxheti për transformimin e FSK-së në Ushtri, edhe sa i përket rekrutimit, të ushtarëve, edhe për pajisjet e nevojshme minimale që duhet ti ketë një ushtri. Si dhe i kemi adresuar plotësisht nevojat që kanë Organet e drejtësisë dhe sundimit të Ligjit për të krijuar kapacitete që në Kosovë të sundojë Rendi dhe Ligji. Me këtë Buxhet gjithashtu  kemi siguruar financim më të madh për bujqësi, në veçanti tek investimet kapitale në bujqësi, në sistemet e ujitjes së tokave bujqësore dhe projekte të tjera infrastrukturore që janë në vitin e sipër”, shtoi kreu i MF-së.

Sipas tij, në Buxhetin e vitit 2017 janë disa risi “ Janë disa ri në këtë buxhet, e para që dëshiroj të theksoj është Planifikimi i Klauzolës  së investimeve, që tashmë pasi Ligji ka hy në fuqi në janar të këtij viti, për herë të parë reflektojnë në Buxhet në projekte plotësisht kapitale. Tjetra është që ne për herë të parë fillojmë së bashku me Buxhetin dhe Thesarin, planifikimin 5 shifror të Buxhetit, dhe kontrollin mandej tek ekzekutimet të buxhetit në nivele 5 shifrore dhe nga janari i vitit të ardhshëm ne do të jemi në gjendje që deri në detale të dimë se ku po shkojnë financat  publike, si po shpenzohen financat publike nga Organizatat Buxhetore. Risi tjetër është gjithashtu parashikimi i fondeve që vijnë nga Agjencinë i Privatizimit të Kosovës, të cilat janë lidhur me investime kapitale për vitin e ardhshëm. AKP-ja e ka kthyer një pjesë të konsiderueshme të mjeteve në fillim të këtij viti dhe presim që 2017 – 2018 e tutje të kthehet një pjesë e madhe e këtyre, pasi që të kryhen të gjitha ato kërkesat e kreditorëve potencial”.

Në këtë diskutim publik zëvendësministri Agim Krasniqi  prezantoj para të pranishmëve procedurat të cilat duhet të ndiqen për aprovimin e Buxhetit, përfshirë edhe këtë dëgjim buxhetor.

Havolli: Rritja ekonomike për 2015 dhe 2016 ishte rreth 4 për qind

Berat Havolli, nga Departamenti i Politikave Ekonomike, Publike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Financiar, prezantoi kornizën makrofiskale të vendit, në bazën e të cilave janë bërë parashikimet e të hyrat dhe janë bërë planifikimet e shpenzimeve për vitin 2017.

Havolli tha se mesatarja e rritjes ekonomike për vitin 2015 dhe 2016 është një shkallë prej rreth 4 për qind.

“Kjo rritje ekonomike është mbështetur kryesisht si rezultat i rritjes së së kreditimit të nga sektori bankar për sektorin privat duke rezultuar si një rezultat i një norme të ulët të interesit ku kemi rënie prej rreth 30 për qind të normës së interesit përgjatë dy viteve të fundit, gjithashtu kjo rritje ekonomike është mbështetur nga rritja e të hyrave të disponueshme të rritjeve familjare dhe sektorit privat ku është ndikuar kryesisht nga rënie e çmimit të derivateve në përgjithësi dhe një rënie e çmimeve të importeve”.

“Rritje e të hyrave të disponueshme është ndikuar edhe nga efektet e përshkallëzimit të normës së TVSH-së që kanë krijuar një hapësirë më të lartë të hyrave të disponueshme për ekonomitë familjare”.

“Këtë rritje ekonomike ka ndikuar edhe investimi i rritjeve publike gjatë vitit 2016 ku për dallim nga 2015-ta kemi një rritje në investime publike kapitale prej rreth 80 milionë. Gjithashtu në këtë rritje ka ndikuar edhe ndikimi investimeve private ku ka rezulto gjithashtu edhe si rezultat i politikave më të favorshme fiskale që janë në implementim që nga shtatori i vitit 2015”.

Drejtori i Departamentit të Buxhetit, Salvador Elmazi, në mënyrë më specifike diskutoi për shpërndarjen e shpenzimeve të buxhetit nëpër sektorë të ndryshëm, varësisht prej prioriteteve që ka vendi.

Ndërsa, drejtori i Departamentit të Thesarit, Fatmir Plakiqi, prezantoi para të pranishmëve  Strategjinë  Borxhit për vitin 2017.

Pjesëmarrësit në këtë takim e vlerësuan lart këtë nismë të Ministrisë së Financave, për mbajtjen e këtij diskutimi publik, ku për herë të parë sipas tyre Buxheti i shtetit po diskutohet edhe publikisht me të gjitha palët e interesit për planifikimin dhe projektet me prioritet të cilat duhet të përfshihen në Buxhet.

 

Të ngjashme