Buxheti për zgjedhjet në veri mbi 500 mijë €, Elezi jep detaje për planin e afatet për certifikim

Prishtinë | 15 Nën 2022 | 14:37 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.

Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se ky institucion ka miratuar planin operacional dhe se për përgatitjen e zgjedhjeve i kanë 34 ditë në dispozicion.

“Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me përgatitjet për organizimin e tyre. Në këtë drejtim, KQZ-ja ka miratuar planin operacional ku janë të parapara të gjitha aktivitetet që do të ndërmerren me qëllim të organizimit të këtyre zgjedhjeve. Aktivitetet për organizimin e këtyre zgjedhjeve i referohen afatit prej 34 ditësh që është në dispozicion të KQZ-së”, tha Elezi.

Ai më tej bëri të ditur se KQZ-ja, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka miratuar edhe planifikimin buxhetor për të dy raundet e zgjedhjeve, i cili është në shumën e 556 mijë e 482 eurove.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe planifikimin buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili është në shumën: 556 mijë e 482 euro. Ashtu siç kërkohet me ligj, me këtë buxhet planifikohen të dy raundet e zgjedhjeve. Meqenëse këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe KQZ-ja nuk ka buxhet, kërkesa buxhetore do t’i dërgohet Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, afatet e aktiviteteve zgjedhore janë si në vijim:

a) Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 21 nëntor 2022;

b) Afati për deklarim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 17 nëntor 2022;

c) Afati për deklarim të partive politike për mospjesëmarrje në zgjedhje fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 19 nëntor 2022;

d) Afati për paraqitjen e përmirësimeve/korrigjimeve nga subjektet politike fillon më 25 nëntor dhe përfundon më 26 nëntor 2022;

e) Afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve është më 26 nëntor 2022;

f) Afati për tërheqje të subjekteve politike fillon më 4 dhjetor dhe përfundon më 5 dhjetor 2022;

g) Data e mbajtjes së shortit për renditjen në fletëvotim të kandidatëve dhe subjekteve politike është më 7 dhjetor 2022;

h) Afati për caktimin e kufizimeve të shpenzimeve për fushatë zgjedhore fillon më 15 nëntor dhe mbaron më 19 nëntor 2022;

i) Fushata zgjedhore si dhe afatet për tubimet zgjedhore fillojnë më 8 dhjetor dhe përfundon më 16 dhjetor 2022;

j) Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të OJQ-ve vendore, ndërkombëtare dhe mediave fillon më 15 nëntor 2022 dhe përfundon më 13 dhjetor 2022;

k) Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 27 nëntor dhe përfundon më 12 dhjetor 2022;

l) Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 24 nëntor 2022;

m) Publikimi i listës së qendrave të votimit bëhet jo më vonë se 7 dhjetor 2022;

n) Afati për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës fillon më 29 nëntor dhe përfundon më 4 dhjetor 2022;

o) Afati për kundërshtimin dhe konfirmimin e listës së votuesve fillon më 2 dhjetor dhe përfundon më 4 dhjetor 2022;

p) Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 26 nëntor dhe përfundon më 30 nëntor 2022;

q) Afati për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve bëhet më 8 dhjetor 2022;

r) Periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon më 9 dhjetor dhe përfundon më 16 dhjetor 2022;

s) Aplikimi për regjistrimin e votuesve të ngujuar në shtëpi fillon 26 nëntor dhe përfundon më 1 dhjetor 2022;

t) Afati për regjistrimin e votuesve me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion dhe votuesve me rrethana të veçanta fillon me 9 dhjetor dhe përfundon më 13 dhjetor 2022;

Të ngjashme