Byroja nuk guxon të politizohet dhe të tingëllojë si hakmarrje e një grupi politik ndaj një grupi tjetër

Prishtinë | 15 Kor 2022 | 22:28 | Nga Liri Loshi

Lajm i mirë është se jo vetëm dy partitë në pushtet, por edhe të tri partitë opozitare pajtohen se njëfarë shqyrtimi i prejardhjes së pasurisë së personave publikë dhe familjeve të tyre, duhet të ndodhë. Tani duhet të gjenden modalitetet më të mira që janë të pranueshme për të gjithë.

Në asnjë rast ky moment nuk guxon të politizohet në atë mënyrë që të tingëllojë si hakmarrje e një grupi politik ndaj një grupi tjetër. Ne nuk e dimë kujt do t’i ndodhë konfiskimi i pasurisë së pajustifikuar dhe nuk e dimë a do të jenë “viktimat” nga pozita, apo nga opozita.

Lajm i keq është se qeveria nuk e ka përgatitur mirë ligjin. Dhe, lajm edhe më i keq është që ky ligj me aq shumë mëngësi ka kaluar në lexim të parë, ndërkohë që është dashur të kthehet prapa dhe të rishkruhet e përpunohet deri në detaje që tek pastaj të sillej përseri në Kuvend.

Kur ka minisitra të dobët e deputetë kompetentë, është një fije shprese që hapësirat boshe të qeverisë t’i mbushë parlamenti. Por, kur edhe deputetët janë njësoj të paemancipuar dhe të papërgjegjshëm politikisht, atëherë të dy palët mbesin duke u bazuar në njëri-tjetrin dhe puna mbetet e pakryer. Pikërsht kjo ka ndodhur kësaj radhe.

Ministria e Drejtësisë në mungesë të ekspertëve të mirë juridikë, ka llogaritur në eksperëtizen e legjislativit për ta amanadamentuar një ligj për të cilin janë evidencuar aq shumë verejtje dhe aq shumë rekomandime nga komisioni i Venedikut!

Deputetët, në anën tjetër, e kanë kaluar një ligj që nuk i plotëson kriteret elementare për të kaluar. Kjo ka ndodh për faktin e thjeshtë se ose janë të paditur, ose të papërgjegjshëm, pra ose nuk kanë kuptuar çfarë kanë lexuar, ose nuk i kanë lexuar fare rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Minsitria e Drejtlsisë duhet të tregojë kompetencë dhe profesionalizëm, ose duhet të riformatohet e riorganizohet. Shteti ec përpara me punë vetëmohuese e përgjegjësi të lartë politike. Jo me diletantizëm!

Të ngjashme