Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka kritikuar ashpër krerët e LDK dhe AAK duke e cilësuar veprimi skandaloz të Kryeministrit Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinaj që Ujmani të shqyrtohet si çështje e pazgjidhur me Serbinë.
Bytyçi tha se ky veprim i Hotit e Haradinajt është kundër kushtetues, “akt i qartë tradhtie ndaj karakterit unitar të shtetit të Kosovës”.
Deklarata e plotë e Avni Bytyçit në Facebook: Partia Demokratike e Kosovës, është akuzuar për një kohë të gjatë nga LDK-ja, AAK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje për cenimin e tërësisë territoriale dhe kompromise në dëm të Kosovës Për një dekadë me radhë, shumë gënjeshtra ia kanë veshur PDK-së dhe lidershipit të saj për këtë. Mirëpo e vërteta e pa kontestueshme e faktike, është se PDK, kurrë nuk ka vendosur nënshkrim në ndonjë dokument në çfarëdo formati që ka cenuar Kosovën, integritetin dhe sovranitetin e saj. Veprimi skandaloz i Kryeministrit Hoti dhe z. Haradinaj që Ujmani të shqyrtohet si çështje e pazgjidhur me Serbinë, është kundër kushtetues, akt i qartë tradhtie ndaj karakterit unitar të shtetit të Kosovës. Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e PDK-se ka bërë dialog me Serbinë, por, ky dialog i ka sjellë mbi 100 njohje ndërkombëtare Kosovës, ka mundësuar formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe mbi të gjitha e ka fuqizuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Të gjitha temat që i ka mbyllur PDK-ja në emër të Kosovës, sot në nivelin teknik po ri-hapen nga LDK-ja dhe AAK-ja në dialogun e tyre teknik në Bruksel me Vuçiqin.