Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe u.d ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, duhet të japin dorëheqje për ti hapur rrugë hetimit të plotë dhe të pavarur rastit për humbjen e jetës së të riut Agon Musliu në karantinën në qendrën e studentëve në Prishtinë.
Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se qëndrimi i mëtejmë i Vitisë dhe Sfeçlës në detyrat që kishin, mund ti pengojë hetimet.
Deklarata e plotë e Avni Bytyçit:
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi dje se nuk do të jap dorëheqje, ndërsa bashkë partiaku i tij Xhelal Sveçla ftoi për një hetim të pavarur e të shpejtë. Të dy qëndrimet janë absurde e kontradiktore pasi që vet z. Vitia dhe u.d. i Ministrit në detyrë, Sveçla duhet të jenë subjekt të një hetimi të pavarur për neglizhencën e treguar për rastin e Agon Musliut
Vdekja e Agonit ka ardhur si rezultat i dështimit të Qeverisë dhe hallkave institucionale të cilat në vazhdimësi i kishin injoruar kërkesat e tij dhe prindit të tij që të lirohet për shkaqe shëndetësore.
Dorëheqja jepet pikërisht që të krijohen kushtet për hetime të plota e të pavarura, ku personat përgjegjës largohen nga institucionet në mënyrë që të mos kenë mundësi të ndërhyjnë në hetimin e pavarur. E kundërta, mund të sjell proces të dëmtuar, të deformuar me prova apo të ndikuar tek dëshmitarët potencialë të cilët janë të gatshëm të bashkëpunojnë me hetuesinë.
Dorëheqja e tyre është madje e vonuar, këta dy zyrtarë të lartë të Qeverisë në detyrë Kurti, duhej të ishin dorëhequr kur vendimet e tyre personale për masat e kufizimit të lëvizjes u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.
Veprimet kundër ligjore dhe kundër kushtetuese të Arben Vitisë dhe Xhelal Sveçlës i kanë kushtuar një qytetari me jetë. Ndërsa vetë situata e pandemisë nuk mund të përdorët si arsyetim për këtë neglizhencë të pafalshme.
Dorëheqja e Arben Vitisë e Xhelal Sveçlës nuk është një obligim moral për t’i lënë drejtësisë mundësi të veprojë por është obligim ligjor që çdo zyrtar publik duhet ta bëj kur ai vet është përgjegjës në një situatë të tillë.