Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se mosrealizimi i programit mësimor është një cilësi e munguar e cila po i dëmton nxënësit, raporton Ekonomia Online.
Byqyti në seancën e jashtëzakonshme me kërkesë të 42 deputetëve për kompensimin e orëve të humbura në arsim, shtoi se arsimi s’është vendi ku tregohen muskujt.
“Plotësimi i orëve të humbura po bëhet një sfidë në vete. Greva e punonjësve të arsimit e drejtuar nga SBAShK ka shkaktuar pasoja për sektorin më të rëndësishëm të sektorit arsimor atë të shkollarëve”.
“Kam kërkuar mirëkuptim nga SBAShK që në vazhdimësi të kërkojmë zgjidhje vetëm që mësimi mos të ndërpritet por këtë mirëkuptim, nuk e kam gjetur. Mos realizimi i programit mësimor është cilësi e munguar dhe kjo po na dëmton shumë”.
Fjalimi i plotë:
Të dashur miq, po ndaj me ju fjalën e mbajtur sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me plotësimin e orëve të humbura si pasojë e grevës së organizuar nga SBAShK-u.
I nderuar kryetar Veseli,
I nderuar kryeministër Haradinaj,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë,
Kjo seancë e jashtëzakonshme bazuar në gjendjen që po krijohet është mëse e qëlluar.
Plotësimi i orëve të humbura si pasojë e grevës së punëtoreve të arsimit, po bëhet një sfidë më vete.
Kohë më parë, ne u ballafaquam me grevën e punëtorëve të arsimit të organizuar e drejtuar nga SBASHK-u. U dashtë kohë dhe angazhim i shumë faktorëve për të arritur një marrëveshje që, auditorët e arsimit t’i ktheheshin normalitetit. Marrëveshja ktheu në punë grevistët dhe risolli në procesin mësimor nxënësit e studentët, por nuk i ktheu humbjet që pësoi mosrealizimi i programeve mësimore nga orët e humbura.
Sindikata e punëtorëve të arsimit mori një marrëveshje përmes një greve të gjatë, ne Qeveria morëm mirëkuptimin e SBASHK-ut dhe funksionimin e procesit të arsimit, po shkollarët tanë çfarë morën? Ata, rrezikohet të bëhen humbësit e mëdhenj, pa fajin e tyre.
Greva e punonjësve të arsimit, e drejtuar nga SBASHK-u, kohë më parë edhe pse e drejtë e tyre ligjore, edhe mekanizëm i pranuar demokratik, ka shkaktuar pasoja për faktorin më të rëndësishëm të sistemit arsimor, në atë të shkollarëve.
Grevistët, sikur edhe jam shprehur që në fillet e grevës, kanë qenë në të drejtën e tyre. Jam takuar e jam solidarizuar me ta, por vazhdimisht e kam theksuar dhe kam kërkuar që të kihet kujdes, të mos dëmtohen shkollarët. Kam kërkuar mirëkuptim nga SBASHK-u, që ne të vazhdonim të kërkonim zgjidhje, meqë, edhe unë isha vënë komplet në anën e tyre, vetëm e vetëm që mësimi të mos ndërpritej. Këtë mirëkuptim nuk e gjeta tek ata dhe më vjen keq për atë.
Kam pritur ndjeshmëri më të madhe të tyre për humbjet që po ua shkaktonin nxënësve e studentëve, ngase unë kam qenë përgjatë gjithë atyre zhvillimeve i hapur me ta, sikur dhe në konsultë e harmonizim me Kryeministrin, ministrat e deputetët, palët të cilët kishin të bënin me zgjidhjen që u ofruam.
Mosrealizimi i programit mësimor është cilësi e munguar dhe kjo cilësi e munguar po na dëmton, e do të na dëmtojë në të gjitha planet, qoftë për arritshmërinë, qoftë për standardet.
Edhe sot e kësaj dite, mendoj se ne nuk bëmë mjaftueshëm për arsimin në marrëveshjen për ndërprerjen e grevës. Do të doja të bënim më shumë, por ato ishin mundësitë!
Ligji për Grevën u jep të drejtë grevistëve për të mos vuajtur pasoja për veprimin grevist, por jam i sigurtë se asnjë mësimdhënës nuk e konsideron pasojë ofrimin e dijes për fëmijët tanë. Në mes të këtij raporti Qeveri-SBASHK, pra, ekziston edhe një palë interesi dhe ajo më e rëndësishmja e gjithë procesit dhe të nesërmes sonë, janë shkollarët tanë, e nesërmja jonë. Janë fëmijët e të gjithë neve dhe po ashtu e përbashkëta jonë.
Jemi qeveritarë, sindikalistë, mësimdhënës, a profesione tjera, e përbashkëta jonë është se ne të gjithë jemi Prindër!
Të nderuar deputetë,
Unë kam lëshuar një vendim në dakordim të plotë me DKA-të për plotësimin e orëve të humbura, në bazë të ligjeve në fuqi, që e obligojnë MASHT-in për harmonizimin e kalendarit të vitit shkollor, që të ju mundësojë DKA-ve që në ekzekutim të këtij vendimi të përmbushen normat e parapara.
Kjo ka indinjuar SBASHK-un, i cili tashmë kërcënon me greva tjera, nëse ne do mbetemi pranë vendimit tonë. Mosrealizimi i programit mësimor prodhon cilësi të munguar, dije të munguar, qe do te thotë: shkronja të papërvetësuara nga nxënësit e klasës së parë, shumë njësi të pamësuara nga nxënësit tjerë, rezultate më të dobëta në testin e arritshmërisë, një test të maturës me sukses të munguar për maturantët dhe e tërë kjo është një kosto të cilën do ta paguajmë të gjithë si shoqëri.
Në asnjë mënyrë nuk besoj se një mësues mund ta dëmtojë nxënësin e tij duke e privuar atë nga një pjesë e programit mësimor. Ky privim rrezikon të thellohet në dëm të shkollarëve, sepse SBASHK-u tashmë po e sheh çështjen thjeshtë në dimensionin e dinjitetit vetanak karshi masës që përfaqëson.
Tashmë, ne jemi në një rrethanë jo të mirë. Ambiciet tona për arritshmëri cilësie nuk mund të përmbushen duke mosrealizuar programet mësimore.
Arsimi nuk është vendi ku kushdo nga palët do duhej të tregojë muskujt.
Si drejtues i dikasterit të arsimit, unë nuk do mund të pajtohem asnjëherë për ta quajtur të mbyllur një vit shkollor me program mësimor të parealizuar. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë, që nxënësit dhe studentët të marrin atë që u takon në të drejtën e tyre për t’u arsimuar, programin e plotë mësimor.
Ne nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme, lufte a katastrofe natyrore, që të mund të pranojmë shkurtime të tilla. E thërras SBASHK-un të reflektojë, se dinjiteti i tyre brenda organizativ nuk mund, e as duhet të quhet interes më madhor se sa arsimimi i shkollarëve tanë!
Si ministër i Arsimit mbes me shpresë se ju, deputetë të nderuar, do të prodhoni një vendimmarrje në këtë Kuvend, për t’u dhënë të drejtë e mundësi atyre të cilëve iu shkelën të drejtat pa fajin e tyre, nxënësve dhe studentëve.
Para neve, në këtë Kuvend dhe para punëtorëve të arsimit, sot shtrohet një detyrë, dhe ajo është t’u japim shkollarëve atë që u takon, programin e plotë arsimor.
Ai që nuk e ndjenë peshën e kësaj detyre, nuk është i denjë të mbulojë përfaqësimin publik!