Bytyqi: Duhen 300 milionë € për infrastrukturën shkollore, por edhe më shumë përkushtim nga mësimdhënësit

Gjakovë | 13 Kor 2018 | 15:29 | Nga Tirana Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se nevojiten rreth 300 milionë euro për rregullimin e infrastrukturës shkollore në gjithë vendin.

Por, kreu i MAShT-së ka theksuar se krahas mjediseve dhe kushteve që duhet përmirësuar ende, ka vend për më shumë përkushtim nga mësimdhënësit.

Ministri Bytyqi i bëri komentet gjatë një vizite, sot në Rogovë të Gjakovës në kuadër të vizitave të planifikuara nëpër shkollat e Kosovës për të biseduar me mësimdhënës, raporton Ekonomia Online.

“Kemi bërë një analizë diku rreth 300 milionë euro, na duhet për me rregullu infrastrukturën e shkollave dhe anekseve në Kosovë”.

“Unë si ministë, bashkë me bashkëpunëtorët dhe zëvendësministrat, po tentojmë që të bëhet maksimumi që në shkollat tona të ketë një frymë tjetër të mësimdhënies, një cilësi në arsim dhe një bashkëpunim të gjithanshëm, përfshirë edhe nivelin lokal, sepse siç e dini, edhe në ligjin për arsimin e ulët parauniversitar një përgjegjësi të madhe kanë edhe pushteti lokal, gjegjësisht DKA-të”.

“Ajo çka është vështirësia kryesore, përveç ambientet dhe kushtet që ne duhet t’i krijojmë, dhe që mund të jetë kërkesë e vazhdueshme e secilës shkollë që të ketë edhe hapësirë të mjaftueshme, dhe kabinete, mjete konkretizuese që sa më lehtë mësimi të zhvillohet, por nuk do ta paragjykoja që nuk ka pasur përkushtim nga mësimdhënësit, por konsideroj që do të bëhet edhe më shumë përkushtim në mësimdhënie”.

Ministri Bytyqi tha se mësimdhënia tash po bëhet me teknika të reja dhe me përkushtim më të madh se në të kaluarën. “Mësimdhënësit nuk janë vetëm të punësuar, të gjitha nivelet nuk duhet ta konsiderojnë se vetëm e kanë gjetur një punë dhe është mbyllur historia e tyre, mirëpo ata kanë një profesion të shenjtë dhe ne duhet t’u krijojmë kushte dhe të bashkëpunojmë”.

“Në implementim tani kemi një kurrikulë të re që është vlerësuar nga ekspertët dhe njerëz të arsimit me standarde të larta, kurrikulë e qëndrueshme, por nga ana jonë kërkojmë që të përgatiten për këtë kurrikulë që mësimdhënësit të kenë trajnime reale dhe jo vetëm formale për këtë”.

“Ne kemi nevojë me pasë libra të cilat përputhen me kurrikulë dhe libra që kanë vlerë më të mirë me librat që kanë tani. Është bërë një grup profesional i teksteve dhe kemi përpiluar një udhëzim administrativ dhe është bërë shpallja publike për tekste të reja, por që duan kohë për të pasur tekste të mira. Konsideroj që librat e reja të jenë të gatshme në vitin shkollor 2019-2020 me cilësi më të mirë”.

Gjatë vizitës në shkollën “Haxhi Hoti”, ministri Bytyqi fillimisht ka bërë homazhe para bustit të dëshmorit, emrin e të cilit e bartë kjo shkollë, ndërsa duke bashkëbiseduar me stafin e kësaj shkolle ka theksuar se, si ministër i Arsimit e sheh të nevojshëm një nivel tjetër të bashkëpunimit në funksion të rezultateve sa më të mira në arsim.

“Nuk mund të diskutojmë për cilësi më të mirë në shkolla nëse nuk i vizitojmë ato për të parë kushtet e punës dhe për të biseduar me ju, të nderuar mësimdhënës. Bashkë me stafin tim jemi duke punuar që të bëhet maksimumi për të krijuar një frymë tjetër të mësimdhënies, një bashkëpunim të gjithanshëm përfshirë edhe nivelin lokal”, është shprehur ministri.

Ministri Bytyqi, po ashtu, ka uruar mësimdhënësit për përmbylljen e vitit shkollor 2017/2018, duke shpresuar që ky vit të ketë qenë i suksesshëm për mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle.

Ndër të tjera, ministri Bytyqi porositi mësimdhënësit që të jenë sa më të përkushtuar në punën e tyre, në mënyrë që nxënësit tanë të përfitojnë shkathtësi praktike dhe të zhvillojnë të menduarit kritik dhe logjik.

Bytyqi, po ashtu tha se, nuk mund të arrihet zhvillimi ekonomik i vendit, nëse nuk e kemi një sistem të zhvilluar arsimor, i cili do të përgatiste të rinjtë tanë që të jenë qytetarë të përgjegjshëm.

Në vazhdim, kreu i MAShT-së vizitoi gjimnazin “Asllan Berisha”, ku po ashtu bisedoi me udhëheqësit e shkollës dhe mësimdhënësit për mënyrën se si të arrihet që të gjithë së bashku të ofrojmë një arsim sa më cilësor për të rinjtë tanë. Ministri theksoi se duhet të ndjekim trendet bashkëkohore të mësimdhënëies dhe të ndryshojmë çasjen për arritjen e cilësisë në arsim.

Ndër të tjera, ministri tha se duhet t’i ndihmojmë nxënësit në orientimin në karrierë, por pa ua imponuar, pasi që kemi shumë të diplomuar, por që janë të papunë, e në anën tjetër kemi mungesë të kuadrove në disa profile.

Përgjegjësit e dy shkollave dhe mësimdhënësit u shprehën të kënaqur me vizitën e ministrit Bytyqi, pasi që theksuan se për herë të parë një ministër i Arsimit viziton këto shkolla në Rogovë.

Zëvëndësministri i Arsimit, Artan Berisha, tha se salla e sportit është jofunksionale dhe rregullimi i saj është më urgjent, raporton EO. “Takimi i sotëm dhe vizita jonë ka rëndësi të madhe dhe shpresoj që nga këtu të dalim me disa çështje konkrete për të mirën e qytetarëve të Rogovës”.

“Objekti ku kryhet mësimi është në kushte minimale, mirëpo çka është urgjente është salla e sportit, e cila është jofunksionale dhe kërkohet në mënyrë urgjente bashkarisht t’i mbledhim forcat të shpërblejmë Rogovën me atë që e meriton”.

Ndërsa drejtori i kësaj shkolle, tregoi se shkolla “Haxhi Hoti” në vitin 2017 ka festuar 90-vjetorin e themelimit.

“Shkolla jonë është një shkollë e vjetër në nivel të Komunës së Gjakovës. Në vitin 2017 kemi festuar 90-vjetorin e kësaj shkolle. Kemi 35 mësimdhënës dhe të gjithë mësimdhënësit e kanë përfunduar trajnimin për kurrikulën e re. Kemi 603 nxënës. Kjo shkollë është ndërtuar në vitin 1965-1966 dhe deri pas luftës nuk pasur asnjë intervenim, vetëm disa pas luftës nga shtetet e huaja. Nuk kemi kabinete të mësimit nga ana praktike”.

Të ngjashme