Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar para Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me çështjen e regjistrimit të pjesëtarëve të komunitetit shumicë për vendet e rezervuara të studentëve të komunitetit joshumicë dhe vendeve të rezervuara në Qendrën e Studentëve, për vitin akademik 2018-2019.
Ministri Bytyqi tha se është i rezervuar vendi për regjistrimin e studentëve nga komunitetet në universitetet publike dhe qendrat e studentëve, derisa theksoi se këta studentë duhet t’i plotësojnë kushtet për t’u regjistruar, raporton Ekonomia Online.
“Lidhur me çështjen e regjistrimit të komuniteteve në universitete, pyetjen qe e kemi marrë ka qenë jo shumë konkrete. Lidhur me regjistrimin e komuniteteve në universitete, ne e kemi bërë regjistrimin e studentëve, ka dalë një kuotë e veçantë dhe kjo vlen për të gjitha universitetet që duhet të plotësohet. Ajo çka ne kemi diskutuar vazhdimisht me universitete është që kriteret të jenë të njëjta. Informacionet që kemi nga universitetet kërkojmë që kuotat të jenë të plotësuara me komunitete. Ajo kuotë ruhet për komunitetet, por që i plotëson kriteret. Nuk kemi ndonjë ankesë që është drejtuar te ne”.
Sipas Bytyqit, Qendra e Studentëve e respekton pjesën e komuniteteve. Ai tha se edhe studentët e komuniteteve duhet t’i plotësojnë kriteret për aplikim.
“Regjistrimi te Qendra e Studentëve është e rregulluar dhe kjo qendër respekton pjesën e komuniteteve. Me kohë hapet konkursi dhe regjistrimi bëhet me plotësimin e kritereve. Duhet të kuptojmë që pavarësisht që mund të jenë prej komuniteteve, duhet të plotësohen kushtet dhe duhet të aplikohet. Nga informacionet nga qendra studentore, nuk kemi pasë ndonjë ankesë ose diçka që nuk është respektuar procedura e regjistrimit. Numri i rezervuar është 845 për komunitete, 106 janë të regjistruar”.
Müfera Srbica-Şinik nga 6+ tha se shpreson që të mos vazhdojë praktika e viteve të kaluara për plotësimin e vendeve të rezervuara për komunitete të mos plotësohet me komunitetet shumicë.
“Disa vite me radhë ballafaqohemi me një fenomen brengosës ku vendet plotësohen për komunitetet joshumicë plotësojnë me komunitetet shumicë. Situata e njëjtë është edhe në Qendrën e Studentëve”, tha ajo.
Albert Kinolli tha se duhet të bëhen praktika lehtësuese për studentët joshumicë, për shkak se shumica e tyre gjuhë amtare nuk e kanë gjuhën shqipe.
“Studentët të cilët nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara të mos jenë pjesë e universiteteve. Duke i pasë parasysh specifikat e komunitetit që gjuhën amtare e kanë gjuhën rome, duke pasë parasysh edhe trysninë, jemi të detyruar të kërkojmë masa lehtësuese, sepse ka raste konkrete në Degën e Gazetarisë ku mbesin vendet e zbrazëta dhe nuk pranohen. Unë mendoj që këtyre studentëve në degë të caktuara ku në pyetje janë 2-3 pikë t’i jepet shanci”, tha ai.
Danush Ademi tha se nuk duhet të bëhen lëshime për asnjë komunitet, mirëpo, sipas tij, nuk duhet t’u shkelen të drejtat , raporton EO.
“Ne dëshirojmë që të kemi studentë kualitativë dhe të mos tolerohen . Unë jam ithtar i asaj që të kemi kualitet. Mirëpo ata të cilët aplikojnë dhe plotësojnë kriteret të mos u mohohet e drejta e regjistrimit”.