Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka takuar sot Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës siç ka thënë ai duke marrë shkas shqetësimin e rektorit të UP-së, Marjan Dema, të shprehur në media, ku kërkon të mos ndërhyhet nga MAShT-i në autonominë e Universitetit, raporton Ekonomia Online.
Bytyqi ka thënë se e ka thirrur këtë takim edhe për të rivënë në vëmendje se nepotizmi e fenomene tjera të liga nuk duhet të lejohen të ndikojnë proceset në Universitet.
“Arsimi i Lartë nuk duhet të lejojmë të bëhet as shtëpi nepotizmi, e as arenë korruptive, por të jetë një garancë dhe shtëpi ku nxirren kuadro cilësore për shoqërinë tonë”, ka shkruar ndër të tjera Bytyqi
Bytyqi ka thënë se stafi i munguar, sigurisht se ka penguar që Universiteti të plotësojë kritere të rëndësishme të arritshmërisë. Sipas tij mosplotësimi në kohë i boshllëkut me staf akademik është shqetësim për Ministrinë.
“Thërras autoritetet e Universitetit veçanërisht Këshillin Drejtues të evidentojë shkaqet e mosreagimit në kohë dhe të ndërmarrë masa që kjo gjendje të mos vazhdojë kështu. Opinioni i Avokatit të Popullit mbi Parandalimin e Nepotizmit në Universitetin e Prishtinës, me numër protokolli 481/2018, i datës 16 mars 2018, krahas gjithë gamës së veprimeve për parandalimin e deformimit të procesit përzgjedhës të stafit, është një obligim shtesë për Këshillin e Etikës dhe të gjitha organet e Universitetit”.
Ministri Bytyqi ka deklaruar se mbesin me shpresë që procesi do të mbetet i padeformuar dhe kështu do të kemi staf akademik kredibil, i cili do të plotësojë boshllëkun e deritashëm.
“Ministria mbetet e përkushtuar për të respektuar pavarësinë e Arsimit të Lartë dhe në këtë e siguron rektorin Dema, por nuk do mbetet e pavëmendshme për proceset që paraqiten me deformime për çfarëdo shkaku, të kujtdo, në shkollimin e lartë, e kudo tjetër. Shoqëria jonë më nuk do të pajtohet me asnjë individ që deformon Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës. E thërrasim Këshillin Shtetëror të Cilësisë të ketë vëmendjen profesionale në procesin e Akreditimit”, ka thënë Bytyqi.