Ministri i Arsimi, Shyqiri Bytyqi, është përgjigjur në pyetjet e deputetit Ismajl Kurteshi mbi shkollat shqipe në diasporë dhe bashkëpunimin e ministrisë së Kosovës dhe Shqipërisë në këtë drejtim, raporton Ekonomia Online.
“MAShT ka bërë një punë për shkollat shqipe në diasporë. Ka vështirësi në informacione sepse nuk kemi një formë zyrtare për të dhëna. Kemi rënie të pjesëmarrjes së fëmijëve aty gjatë 2018-tes. Kanë qenë rreth 25 mijë, pra ka rënie sepse në vitin 2016-të kanë qenë rreth 30 mijë. Ne kemi kurrikula unike me Shqipërinë për diasporën. Është bë marrëveshje e përbashkët për kurrikulë, të përbashkët për mërgimtarët. Mbetet të bëjmë propagandë pozitive që mërgimtarët t’i dërgojnë fëmijët në shkolla shqipe. Në marrëveshjes mes dy vendeve është dakorduar që programi shqip të jetë pjesë e sistemit arsimor”, u përgjigj ministri Bytyqi.
Deputeti Kurteshi kërkoi nga ministri Bytyqi që tu dërgojnë informata të sakta në mënyrë që të mbulohen të gjitha nevojat e fëmijëve në diasporë.
“Mos veprimi i MASHT-it dhe ministrive tjera bart përgjegjësi tepër të rëndë morale dhe ligjore. Përgjigja se nuk e dini sa shkolla nuk është përgjigje që duhet të vijë nga ministria. Pres që ju të na dërgoni informata të sakta që të marrim masa të sakta për mbulimin e nevojave të të gjithë fëmijëve në diasporë”, ka thënë Kurteshi.
Ministri Bytyqi tha se është çështje vullnetare e prindërve nëse duan fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkollat shqipe.
“Ata që e ka obligim, MAShT e bën. Ajo që thash është vështirësi që fëmijët të marrin pjesë. Është çështje vullnetare e prindërve se sa janë të interesuar t’i dërgojnë fëmijët në këto shkolla. Nuk e kemi pasë një sistem ku mund të regjistrohen. Nga statistikat del që numri i fëmijëve është 25 mijë, por që mund të kemi lëvizje sepse shpesh ka largim të fëmijëve”, ka thënë ministri Bytyqi.
Bytyqi iu përgjigj edhe pyetjes së deputetes së PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj. Ajo u interesua të dinte se cilat janë masat për peshën e çantave të fëmijëve në shkolla.
Bytyqi tha se pritet që tekstet e reja te jenë në formë më të lehtë, sipas tij, afatgjate është mësimi tërë-ditorë, që të eliminohet problemi.
“Është një çështje që ka shumë vite që diskutohet dhe nuk është marrë ndonjë masë. Ne si ministri jemi duke i marrë tri hapa që ta eliminojmë këtë ngarkesë. E para presim që tekstet e reja do jenë tekste përtej anës cilësore dhe në formë më të lehtë që ti përshtaten moshës së fëmijëve, hapi i dytë do jetë për pjesë të tjera që nuk do kenë tekste për klasë të tjera. Mos të bllokohen me shumë orë. Afatgjate është mësimi tërë-ditor që do ta eliminoj tërësisht problemin”, tha Bytyqi, raporton EO.