Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) Shyqyri Bytyqi, tha se me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) janë afër zgjidhjes së problemit rreth kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës, raporton Ekonomia Online.
Bytyqi pas takimit me anëtarë të SBAShK-ut, Këshillit të Prindërve dhe anëtarë të komisionit për Arsim, shtoi se janë të gatshëm për gjetjen e një zgjidhje, ngase nuk punojnë me inate.
“Ky është një takim shumë i rëndësishëm dhe jemi të gatshëm të ofrojmë zgjidhjen. Ne respektojmë procedurat ligjore dhe mund të marrim një vendim tjetër, jemi të gatshëm ta respektojmë sepse ne nuk punojmë me inate”.
Komisioni parlamentar është zotuar se do të punojë në Ligjin për Pagat sa i përket ciklit klasor të mësimdhënësve.
Kryetari Ismajl Kurteshi, tha se kanë ardhur në përfundim që dy kërkesat e SBASHK-ut tanimë janë të plotësuara sepse MAShT-i, është i interesuar për një vendim të ri për kompensimin e orëve.
“…dy kërkesat e SBAShK-ut janë të plotësuara sepse ministri është i gatshëm që vendimi të tërhiqet dhe të punojë me SBAShK-un për një vendim të ri për kompensimin e orëve”.
“Komisioni parlamentar është zotuar se do të punojnë për rishikimin dhe plotësimin e Ligjit për Paga sa i përket mësimdhënësve nga klasa e parë deri në të pestën”.
Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala tha se kanë qenë bashkëpunues në këtë aspekt. Sipas saj, do të bëhet kompensimi i një jave në fund të vitit shkollor 2018-19.
“Ministri ka deklaruar se do ta tërheq vendimin për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës. Komisioni parlamentar u deklaruar që do ta fillojë plotësim ndryshimin e Ligjit të Pagave andaj në momentin që do të bëhet ky plotësim ndryshim i koeficienteve”.
“Do të bëhet kompensimi i një jave në fund të vitit shkollor 2018-19. Nuk janë duke u shfrytëzuar fëmijët për arritjen e këtyre pazareve sepse SBAShK-u para se të hyjë në grevë nuk ka lënë derë pa trokitur andaj përgjegjës janë institucionet që ka të lejuar të hyhet në mësimi gjatë tri javëve grevë”.
Anëtarja e komisionit për Arsim, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, tha se e përkrahin rritjen e koeficientit për mësimdhënësit nga klasa e 1 deri në të 5, duke kërkuar nga ministria të tërheq vendimin për kompensimin e orëve.
“Ne nuk bëjmë pazare e përkrahim koeficienti mu rrit për klasat nga e para deri në të pestën. Duhet të jap dikush për humbjen e mësimit dhe të kërkohet kompensim, barra bie mbi Qeverinë dhe ministri të tërheq vendimin”.