Cakolli: Kosova nuk mund të mbetet pafundësisht me ushtrues detyre në postin e Presidentit

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me çështjen e ushtrimit të detyrës së Presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të mbetet pa kreun e shtetit, por as të vazhdojë pa afat me ushtrues detyre.

Përmes një postimi publik, Cakolli ka vlerësuar se zgjidhja e vetme është zgjedhja e Presidentit të ri brenda afatit kushtetues, më së voni deri më 4 tetor.

Sipas tij, një dështim eventual i partive politike për ta zgjedhur Presidentin nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si arsyetim për tejkalimin e kufirit kushtetues të ushtrimit të detyrës, e aq më pak për të krijuar një mandat të ri gjashtëmujor për secilin kryetar të ri të Kuvendit që do ta ushtronte këtë funksion.

Cakolli argumenton se, nëse moszgjedhja e Presidentit do të mjaftonte për vazhdimin e ushtrimit të detyrës përtej gjashtë muajve, atëherë vetë afati kushtetues do ta humbiste kuptimin.

Ai paralajmëron se një interpretim i tillë do t’u mundësonte partive politike ta bllokonin zgjedhjen e Presidentit, të ndërronin kryetarin e Kuvendit dhe, në këtë mënyrë, ta mbanin postin e Presidentit për një kohë të pacaktuar me ushtrues detyre.

Të ngjashme