Cakolli: Solidariteti me palestinezët nuk na jep të drejtë ta shndërrojmë politikën e jashtme në teatër

Prishtinë | 21 Shk 2026 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Organizata “Kolektivi për mendim dhe veprim feminist” kanë vendosur sot në hyrje të presidencës së Republikës së Kosovës një baner me mbishkrimin “Jo në emrin tonë, ne jemi për çlirimin e Palestinës”, duke kundërshtuar kështu vendimin e Kosovës për t’iu bashkuar Bordit të Paqes së themeluar nga SHBA-të.

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar për këtë zhvillim duke thënë se “solidariteti me vuajtjet e palestinezëve është i natyrshëm” nuk na jep të drejtë ta shndërrojmë politikën e jashtme në teatër.

Ai tha se institucionet e Kosovës duhet t’i ratifikojnë të gjitha marrëveshjet që e avancojnë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

“Jemi me fat që Kosova kurrë nuk është rreshtuar pas sloganeve revolucionare të së majtës radikale të viteve ’70, që e shohin botën vetëm në klishe ideologjike dhe në konflikte imagjinare të tipit “imperializëm vs çlirim”. Kosova mbase nuk do të ekzistonte sot, e as nuk do të ishte pjesë e ndonjë mekanizmi ndërkombëtar, po të ishte kundër Perëndimit, e sidomos SHBA-ve. Pa ndërhyrjen e tyre, që përmes lenteve ideologjike të së majtës ekstreme shpesh etiketohet edhe si “imperializëm”, sot nuk do të kishim as liri, as shtet, as siguri, e as perspektivë euro-atlantike. Solidariteti me vuajtjet e palestinezëve është i natyrshëm. Por kjo nuk na jep të drejtë ta shndërrojmë politikën e jashtme në teatër ku çdo angazhim perëndimor paraqitet si fajësi morale. Aq më pak që Kosova të përdoret si megafon për beteja ideologjike globale që nganjëherë nuk i kuptojnë as vetë ata që i artikulojnë”.

Prandaj, thotë Cakolli, institucionet tona, duke reflektuar orientimin e qartë pro-perëndimor – si zgjedhje racionale dhe si pozicionim strategjik – të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, duhet t’i ratifikojnë të gjitha marrëveshjet që e avancojnë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

“Madje, me konsensus të plotë”.

Të ngjashme